Kuvendi i Preshevës tash e dy muaj në mungesë të kuorumit nuk ka arrit të zhvillojë as një seancë. 24 gushti është data e fundit që Kuvendi duhet të zhvilloj të paktën një seancë në mënyrë që struktura aktuale e pushtetit lokal të mbijetoj. Në të kundërtën rrezikohet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme lokale.
Destabiliteti politik po shënon ngecje në ekzekutimin e shumë projekteve të parapara për sivjet.
Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin republikan Fatmir Hasani, ka ftuar subjektet politike që t`i ulin tensionet në mënyrë që të dilet nga kriza aktuale, raporton televizioni i Kosovës.
Mungesa e stabilitetit politik në përgjithësi në Luginë e veçanërisht në Komunën e Preshevës, sipas Belgzim Kamberit të Këshillit të Drejtave të Njeriut, po margjinalizon kërkesat për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve.
Kuvendi i Preshevës përbëhet nga 38 këshilltarë komunalë. Shumica aktuale është e dytë e krijuar që nga përfundimi i zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar, meqë e parë u shpërbë 10 muaj pas zgjedhjeve.