Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën pret në takim konsultativ përfaqësuesit e subjekteve politike për të diskutuar për situatën pas zgjedhore të parakohshme të 11 qershorit.
“Ju njoftojmë se nesër (e hënë), në orën 10:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mban takim konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare për caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 11 qershor 2017”, thuhet në njoftimin nga presidenca.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëtë ftesë, përfaqësuesit e subjekteve politike e kanë vlerësuar si të panevojshme.
Kjo ftesë konsiderohet e panevojshme pasi vlerësohet se Thaçi ka mundur të thërrasë fillimisht seancën konstituive të Kuvendit, e më pas t’i takojë partitë politike për të diskutuar rreth formimit të institucioneve.
Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe, kanë bërë të ditur se nuk do të jenë të pranishëm në këtë mbledhje.
Lëvizja Vetëvendosje, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se presidenti Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t'i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar, madje se ata nuk kanë obligim ligjor të jenë të pranishëm.
Postimi i plotë i Vetëvendosjes:
Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t'i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar lidhur me ditën dhe datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe ne nuk kemi asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim. Afati ligjor për thirrjen e seancës konstituive është i përcaktuar ligjërisht dhe Thaçi thjesht e ka obligim kushtetues ta kumtojë ditën dhe orën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit. Nëse Thaçi nuk e bën këtë, atëherë ne, si deputetë të Kuvendit të zgjedhur me votën e popullit, do ta bëjmë ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ftesa e Thaçit për takim konsultativ, është përpjekje që përmes takimeve joformale të tipit parapolitik ta bëjë të paqartë thirrjen e seancës konstituive. Kjo është tendencë e qartë për të krijuar përshtypjen e krizës ku të gjithë duhet të ulen në një tryezë dhe ka thjeshtë për qëllim shpërlarjen e takimeve të kafeneve me koalicionin e PAN-it, të cilit duke qenë se më shpejtë po i ikën koha se sa që po i bëjnë numrat për formimin e qeverisë, po mendojnë se tek Thaçi kanë gjetur mundësinë për blerjen e kohës. Thaçi e ka shfrytëzuar këtë ftesë, për t’ia mbuluar PAN-it humbjen e të gjitha afateve të cilat ata vetë i kanë caktuar. Kësisoj, Thaçi vetë i skaduar, ka pranuar këtë rol prej shpëtimtarit fallso për t’u rikthyer sërish në skenë, ku deri më tani qëndronte vetëm nëpërmjet thirrjeve telefonike me Vuçiqin.
Ngjashëm, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka thënë se nuk do të jetë i pranishëm në këtë ftesë nga kreu i vendit.
“Si lider i LDK-së, nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputetë nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, ka thënë Mustafa.
Në takim nuk do të marrë pjesë as Lista Serbe. Kryetari i kësaj partie ka falënderuar presidentin Thaçi për ftesën, por ka thënë se nuk do të jenë në takim.
Rakiq u ka thënë mediave serbe se vendimi për koalicionin e ardhshëm do të vendoset në Beograd.
“Ne jemi të gatshëm për bisedime dhe dialogu nuk ka alternativë. Jemi të gatshëm për të biseduar mbi politikën e paqes. Nuk jemi të interesuar për pozita, por që serbët të kenë jetë më të mirë në Kosovë”, ka thënë ai.
Për formimin e qeverisë së re, janë të nevojshme së paku 61 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ka 120 ulëse.