Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Marrëveshjet me Serbinë, cilat janë bllokuar e cilat po vonohen së zbatuari

Ministrja në detyrë për Dialog Edita Tahiri, përmes në kumtese dërguar medieve thotë se ka paraqitur raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, transmeton Koha.net.

Në këtë raport është thënës e një numër i marrëveshjeve të arritura në Brukselit janë në pritje të zbatimit, ndërsa nga marrëveshjet e bllokuar plotësisht anë: marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe diplomat. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e "mbrojtjes civile", rivitalizimi i Urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Ndërsa disa të tjera i janë nënshtruar vonesave siç janë: asociacioni, reciprociteti në targat e regjistrimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për të gjitha këto në raport Tahiri ka fajësuar Serbinë.

Në vazhdim në raport janë dhënë edhe sqarimet:

Energjia

Marrëveshja e energjisë është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet. Serbia është duke e bllokuar atë duke mos lejuar që kompania e re të regjistrohet në Kosovë në pajtim me Ligjet e Kosovës ashtu siç parashihet me marrëveshjen e energjisë të arritur në vitin 2013. Në terma konkretë, kompania e re, si një degë e një kompanie serbe, po refuzon të përmendë në Kosovën si shtetin ku do të operoj, në statutin saj, pavarësisht faktit se marrëveshja kërkon respektimin e Ligjeve të Kosovës. Kjo jo vetëm që ka cenuar sistemin energjetik të Kosovës, por edhe sigurinë rajonale të energjisë, si dhe agjendën rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Procesit të Berlinit) mbi konektivitetin rajonal në fushën e energjisë. Nga ana tjetër, Kosova mban mbi supet e saja stabilitetin rajonal të energjisë në dëm të saj,

Drejtësia

Në lidhje me drejtësinë, zbatimi është frenuar nga Serbia, që nga 10 janari i vitit 2017, kur Serbia duhej të ndërpriste zyrtarisht pagat dhe kontratat e punës për gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe stafin administrativ të rekrutuar për të punuar në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Serbia ende nuk ka paraqitur ndonjë vendim të qeverisë që do të dëshmonte se i ka përmbushur këto detyrime që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit mbi drejtësinë. Rrjedhimisht, ajo ka vonuar procesin e konsolidimit të Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit mbi Drejtësinë në pajtim me Ligjin e Kosovës. Pala e Kosovës ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj.

Diplomat

Edhe në fushën e arsimit, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për të ndihmuar studentët, përmes zbatimit të marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia.

Motivet për bllokadë duket të jenë të natyrës politike, të orientuara kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët veçanërisht kanë nevojë për pranimin e diplomave të tyre, duke qenë se studiojnë në Kosovë, në mungesë të Universitetit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës në Serbi dhe të cilët kërkojnë të kthehen dhe të shërbejnë në sektorin e arsimit ose të punësohen në sektorë të tjerë publikë në Luginën e Preshevës.

Kadastra

Marrëveshja për kadastrën është arritur në vitin 2011. Ka pasur vonesa serioze nga ana e Kosovës në miratimin e Ligjit për Agjencinë Teknike mbi krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale që do të kthehen në Kosovë, të cilat janë marrë dhunshëm nga Serbia gjatë luftës kundër Kosovës në vitet 1998-1999. Qëkur Kosova e miratoi këtë ligj, në qershor të vitit 2016, ka qenë Serbia ajo që e ka penguar implementimin duke mos kthyer ende në Kosovë dokumentet e skanuara dhe verifikuara të kadastrave të Kosovës.

"Mbrojtja civile" - pengohet zbatimi përfundimtar

Përveç problemeve të krijuara nga bllokada e Serbisë ndaj marrëveshjeve të lartpërmendura, kohët e fundit kemi vërejtur sabotime të Serbisë ndaj marrëveshjeve të caktuara, të tilla si sabotimi i çështjes së objekteve për institucionet e Kosovës të cilat kanë punësuar ish-anëtarët e "mbrojtjes civile". Kosova ka paguar paga për 378 persona për 18 muaj me radhë, por ata nuk mund të punojnë, sepse lokalet që kemi marrë me qira janë bombarduar dhe qiradhënësi është kërcënuar. Përveç kësaj, objektet e ish "mbrojtjes civile" të cilat duhej t'i dorëzoheshin Qeverisë së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, dorëzimi nuk është bërë ende. BE-ja nuk ka mundur të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje deri më tani, megjithëse ne po këmbëngulim vazhdimisht.

Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim i cili nënkupton se në njërën anë zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat paralele të saj në Kosovë, duke përfshirë strukturat ilegale komunale në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës.

Kjo qasje dualiste e Serbisë ndaj dialogut të Brukselit cenon në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Prova më e mirë është fakti se edhe pas gjashtë viteve të këtij dialogu, ministrat e qeverisë së Kosovës ende nuk mund të bëjnë ndonjë vizitë zyrtare në komunat veriore. BE nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë heqjen e kësaj pengese serioze për procesin e normalizimit.

Rivitalizimi i Urës së Mitrovicës – i penguar

Barrikada është hequr nga Ura e Mitrovicës në vitin 2016, por rivitalizimi i plotë i urës është penguar nga Serbia përmes disa provokimeve djallëzore dhe destabilizuese ndaj Kosovës, siç ishte muri ilegal në Mitrovicë dhe një tren bizar që synonte të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Si pasojë, ura ende nuk është hapur për lëvizje të lirë të njerëzve dhe automjeteve, megjithëse ishte planifikuar për në janar 2017, siç parashikohej në Marrëveshjen e Brukselit.

Rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore – i penguar

Pas heqjes së murit ilegal në Mitrovicë në shkurt të vitit 2017, përmes dialogut midis Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut, mbështetur nga dy raunde të nivelit të lartë politik të bisedimeve në Bruksel në muajt janar dhe shkurt, rivitalizimi i rrugës kryesore filloi në bazë të planit të dakorduar.

Megjithatë, procesi është ndërprerë/penguar nga Serbia, prandaj rivitalizimi i rrugës për këmbësor është bllokuar. Kjo gjithashtu ka shkaktuar ngecje në përfundimin e rivitalizimit të urës.

Marrëveshjet e vonuara nga Kosova

Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas formimit të qeverisë së re, Kosova do të vazhdojë të përmbushë këto detyrime, siç ka bërë me të gjitha detyrimet e tjera që rrjedhin nga Dialogu i Brukselit, në gjashtë vitet e fundit.

Por themelimi i Asociacionit duhet të shkojë në mënyrë sinkrone me shpërbërjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Të dy proceset do të shkojnë paralelisht siç është dakorduar.

Marrëveshja e Reciprocitetit për targat u arrit në shtator të vitit 2016 dhe ishte planifikuar të fillonte zbatimin më 15 nëntor të vitit 2016. Kosova ka vonuar zbatimin e saj për shkak të vonesave në miratimin e vendimeve të nevojshme lidhur me zbatimin. Më 16 shkurt, Qeveria e Kosovës e miratoi këtë marrëveshje dhe vendimet pasuese u morën nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Megjithatë, dinamika e zgjedhjeve në Serbi, pastaj pezullimi i dialogut nga Parlamenti i Kosovës dhe zgjedhjet në Kosovë kanë penguar rifillimin e zbatimit. Kosova e informoi BE-në rreth gatishmërisë për zbatimin dhe këmbënguli që afati i ripërtërirë të dakordohet midis palëve përmes komunikimit elektronik. Megjithatë BE njoftoi se pala serbe këmbëngul që dakordimi të bëhet përmes një takimi të palëve që duhet të zhvillohet në Bruksel. Kosova është e gatshme për zbatim.