Gazmend Gjyshinca, aktivist i shoqërisë civile në Vushtrri, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se shoqëria civile e Vushtrrisë është brengosur për një program të tillë jotransparent, siç është dhënia e kalasë për shfrytëzim për restorant.
Ajo që po ndodh me Kalanë në Vushtrri, ai ka thënë se është “uzurpim”.
Ai ka thënë se shoqëria civile kërkon një debat paraprak e gjithëpërfshirës për të vendosur se si do të shfrytëzohet hapësira e kalasë. “Pra ne nuk jemi kundër shfrytëzimit, por mënyrës se si është vendosur tani”, ka thënë ai.
“Ofertuesit kanë qenë të shumtë, ka pas të afërt me zyrtarë të lartë të Vushtrrisë. Ka qenë garë për marrjen në shfrytëzim të kalasë”, ka shtuar ai.
Gjyshinca ka shtuar se nuk janë kundër dhënies së kësaj kalaje në shfrytëzim, por problemi qëndron kujt i jepet dhe të bëhet në mënyrë transparente.
“Ka shtëpi e xhami të shumta që nuk janë në përkujdesje. Kalaja nuk është problemi i vetëm në Vushtrri”, ka thënë ai.