Arbëri

“Banorët e banesave në Prishtinë jetojnë në një kaos të vërtetë”

Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së u diskutua për degradimin dhe pasigurinë në ndërtesat e banimit.

Të ftuar në emision ishin Ramë Hamzaj - Udhëheqës i Divizionit të Banimit në Departamentin e Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit – MMPH, Driton Tafallari - Drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Developing Together”, Drilon Pireva- Udhëheqës i Departamentit të Mirëmbajtjes në Ndërmarrjen Publike Banesore – Prishtinë dhe Shyqeri Kabashi nga Kolegji Biznesi.

Ramë Hamzaj tha se me ligjin për Pushtetin Lokal, administrimi dhe banimi është kompetencë e pushtetit lokal, gjegjësisht kuvendeve komunale dhe drejtorive të shërbimeve publike, ndërsa theksoi se duhet të krijojnë regjistra.

“Problem kryesor për moszbatim të këtij ligji është mospranimi teknik i ndërtesave, sidomos në Prishtinë, por edhe në tërë Kosovën, sepse bashkëpronësia nuk mund të realizohet nëse objekti nuk ka pranim teknik. Ka shumë defekte në ligj dhe pritet amandamentimi i këtij ligji shumë shpejt. Sa i përket sigurisë, fal Zotit deri më sot nuk kemi pas ndonjë tragjedi në ndërtesat në bashkëpronësi sepse duhet të aktivizohen mekanizmat tjerë që të merren në përgjegjësi. Problem kryesor dhe më urgjent është pajisja me dokumente teknike. Urgjentisht duhet të fillojë pranimi teknik i ndërtesave që të lëshohet certifikata e përdorimit nga komuna, përndryshe përgjegjës do të jenë banorët”, ka thënë Hamzaj.

Driton Tafallari, Drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Developing Together”, ka thënë se në hulumtimin që organizata e tij e ka bërë për problemin e banimit në bashkëpronësi, ka gjetur “një katrahurë të madhe”.

“Ne i kemi hulumtuar 100 hyrje të ndërtesave në Prishtinë dhe kemi vërejtur se në asnjërën nga këto ndërtesa, ligji për ndërtesat në bashkëpronësi nuk funksionon. Banorët e banesave në Prishtinë jetojnë në një kaos të vërtetë, jetojnë qysh të munden duke tentuar t’i mirëmbajnë hyrjet e veta. Duhet të ketë sanksione kur të bëhet amandamentimi ose harrojeni që mund të rregullohet kjo fushë jetike për banorët”, ka deklaruar Tafallari.

“Gjatë hulumtimit kemi vërejtur një degradim total të ndërtesave kolektive. Në Prishtinë jetojnë rreth 60% e qytetarëve në ndërtesa në bashkëpronësi. Në Ulpianë kulmet nuk janë ndërruar qe 50 vjet, fasadat e soliterëve në Ulpianë janë duke i rrezikuar qytetarët, me dekada nuk janë lyer hyrjet e brendshme të ndërtesave dhe mund të shkaktohet epidemi. Dukuri e shpeshtë është rënia e fasadave nga ndërtesat e larta duke rrezikuar banorët, mungesa e gardheve, dyert e ashensorëve hapen kur lifti nuk është aty, mungesa e xhamave që rrezikojnë jetën e fëmijëve, mungesa e poçeve elektrike, orët e rrymës në korridore me kabllo të zhveshura ku shpesh janë djegur komplet instalimet dhe ajo më e tmerrshme është vendosja e saksive të luleve nëpër muret e jashtme të tarracës, kjo vendosje rrezikon jetën e qytetarëve”, u shpreh Tafallari.

Kurse Drilon Pireva, udhëheqës i Departamentit të Mirëmbajtjes në Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë, tha se Ligji për bashkëpronësi i obligon banorët që të formojnë shoqatën pastaj kjo shoqatë duhet të themelojë menaxhmentin duke filluar me presidentin e shoqatës, zyrtarin e thesarit, sekretarin e shoqatës dhe zyrtarë të tjerë. Këta e kanë për obligim pastaj t’i përgatisin shpenzimet vjetore, deklarimet vjetore buxhetore, polisat e sigurimit dhe të bëhet auditivi – pra, banorët e hyrjes duhet ta bëjnë këtë punë. Por, kush është në gjendje me u marrë me gjithë këto telashe? Normalisht që askush nuk dëshiron të merret me këtë punë sepse është barrë e madhe andaj edhe nuk funksionon ky ligj qe 5 vite”, theksoi Pireva.

Ai tha se ligji duhet ndryshuar urgjentisht dhe të definohen kompetencat qartë dhe të detyrohen edhe komunat edhe qytetarët të paguajnë dhe ndërmarrja publike ose private t’i menaxhojë ndërtesat në bashkëpronësi duke filluar nga ndriçimi, mirëmbajtja, ashensorët dhe investimet e tjera.