Arbëri

Ahmeti: PAN-i s’mund ta formojë Qeverinë

Shpend Ahmeti në Interaktiv të KTV-së ka shprehur bindjen se koalicioni PAN nuk i ka numrat e nevojshëm për të formuar Qeverinë, ashtu siç ata po proklamojnë.

Sipas tij po t’i kishin numrat do ta thërrisnin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të hapte rrugë për formimin e Qeverisë.

“Nëse i ka numrat pse nuk po e thërret mbledhjen konstituive”, ka thënë Ahmeti, ndërsa ka shtuar se Qeverinë PAN-i do të mund ta krijonte vetëm nëse kontrabandon deputetë.

“PAN-i nuk mund ta formojë Qeverinë përveç nëse kontrabandon votat”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se deklaratat e PAN-it se i kanë numrat janë lojëra për të shkaktuar huti.

“Përmendin disa emra, për t’u bërë presion”, ka thënë ai.

“Askush nuk po e do një Qeveri që i ka në tërësi 61 deri në 63 deputetë dhe në mesin e tyre 9 deputetë të Listës Serbe, e cila me Aleksandar Vuçiqin do të mbante peng e do të diktonte politikën në vend”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se nëse dështon PAN-i, ekziston mundësia që Qeverinë ta krijojnë vetëm Vetëvendosje e LAA-ja, përfshirë aty edhe 10 deputetë të pakicave jo serbe.

“Kështu do të bënim 71 deputetë, pa përjashtuar edhe partitë e tjera shqiptare të cilat i ftojmë që të shkëputen nga PDK-ja”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se në demokraci presidenti nuk ka gjasë që të mos ia japë mandatin për herën e dytë atyre që garantojnë se e kanë shumicën.

Ka folur për gjasa të mëdha të përafrimit të qëndrimeve dhe programit me LAA-në.

“Një gjë e tillë nuk është e pamundur, edhe pse ne jemi parti e qendrës së majtë e ata të djathtë. Diskutimi kryesor me LAA-ne do të ishte mbi programin, në veçanti për përafrimin e qëndrimeve në bisedimet me Serbinë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka treguar se krerët e partisë përfshirë edhe vetë atë kanë pasur takime me deputetët përfaqësues të komuniteteve joserbe.

Sa i përket kushtit të cilin e ka përmendur LDK që kërkon postin e kryeministrit, Ahmeti ka thënë se VV duhet të bindet përse i nominuari i kësaj partie, Albin Kurti, nuk e meriton të jetë kryeministër.

“Ne mendojmë se duhet të udhëheqim. Duhet të kemi një arsye të fortë pse të mos jetë Kurti. Pse të ketë lojëra, kur Kurti është më i votuari. Ka pasur mundësi votuesi të thotë po e votoj VV-në, por jo Kurtin. Ka legjitimitetin e plotë për të qenë kryeministër. Nëse ata thonë se nuk duhet të jetë duhet të na tregojnë arsyet”, ka shtuar ai.