Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MI dhe Gjilani, memorandum mirëkuptimi për financimin e projekteve infrastrukturore në Gjilan

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për financimin e projekteve infrastrukturore në Komunën e Gjilanit.

Qëllimi i këtij Memorandumi, sipas njoftimit për media të MI-së, është financimi i projekteve infrastrukturore si dhe përcaktimi i obligimeve të kësaj ministrie dhe komunës së Gjilanit për asfaltimin e disa projekteve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“MI-ja obligohet të sigurojë mjetet financiare për realizimin e këtyre projekteve, ndërsa Komuna e Gjilanit obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të projekteve, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërkaq, thuhet se Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projektet të realizohen pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë.

“Po ashtu, Komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projekteve, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektet për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi”, potencohet në komunikatë.

Duke u bazuar në marrëveshjen në fjalë, Ministria e Infrastrukturës do të financojë këto projekte në vlerë prej 1 milion e 380 mijë euro.​