Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli në “Interaktiv” të KTV-së ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit.
Ka folur aty në mënyrë të veçantë për vizitën e Visar Ymerit, Albin Kurtit e Shpend Ahmetit në Bruksel. Ka thënë se këto vizita kanë pasur dy qëllime.
“Arsyeja e shkuarjes në Bruksel ka qenë për të prezantuar gjendjen në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë për të prezantuar programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Topalli.
“Kanë qenë takime shumë të përzemërta”, ka thënë Topalli, teksa ka komentuar se këto takime janë një lloj garancie se në rast se Vetëvendosje e bën Qeverinë do të ketë marrëdhënie të mira me miqtë ndërkombëtarë.
Përveç faktorit të jashtëm, ai ka thënë se është edhe faktori i brendshëm që tregon se, siç ka thënë, Vetëvendosje duhet të qeverisë. Përveç ndryshimit që sipas tij po e duan qytetarët, edhe fakti se Albin Kurti është kandidati më i votuar.