Arbëri

Kelmendi: Vetëvendosje është parti komuniste

Zëvendëskryeministri në largim, Ramiz Kelmendi, thotë se Vetëvendosje është parti që modelin ekonomik e ka në sistem komunist.

Në Interaktiv të KTV-së, Kelmendi ka deklaruar se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte thënë se do të “hyjë në markete për t’ua marrë raftet ballore shitësve dhe dëshiron të hyjë edhe në televizione që t’ua japë hapësirat për reklamime për produkte vendore, sepse nuk kanë mjaftueshëm”.

Nëse një gjë e tillë mund të ndodhë, sipas Kelmendit, kjo do t’i ofrojë mundësi Ahmetit që të hyjë edhe në banka dhe t’ua marrë paratë. Kjo sipas tij, është model komunist sikurse i Chavezit në Venezuelë.

“Me fol të drejtën, modeli i VV-së është model komunist. Unë e kam tejkaluar këtë dhe kam qenë pjesë e regjimit, që nuk do të dëshiroja të jem”, ka thënë ai.

Kelmendi thotë se nuk ka asgjë ndaj Vetëvendosjes, por kjo parti është kundër tij dhe kapitalit që ai ka krijuar. Thotë se ai kritikohet nga VV-ja për import të madh nga Serbia, por ka “miq të Albin Kurtit që janë importues më të mëdhenj nga ky vend”.

Kelmendi, megjithatë, është shprehur i hapur për bashkëpunim me VV-në, por me kusht që LDK të marrë qeverisjen. Ka thënë se nëse Vetëvendosje dëshiron që me çdo kusht të dërgojë PDK-në në opozitë, një gjë e tillë është shumë e lehtë. “Vetëm duke e dërguar LDK-në në qeveri”.