Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj sot, në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka lëshuar një letër reagim për situatën në të cilën gjendet Kosova e cila, sipas tij, është diametralisht e kundërta e asaj çka në fillim kishin premtuar partitë e koalicionit të sotëm qeveritar.
“Ky “regjim” nuk është i pari, por do të jetë i fundit! Koalicioni që premtimet i kanë kthyer në gënjeshtra të realizuara... Kurorëzimi i fundvitit 2014, i PDK-LDK-së në fillim u tentua të shitet si shpëtim për Kosovën, por shpejt doli në shesh e vërteta. Këto dy parti “armike” shpejt u kthyen në “vëllezër” që rrinë bashkë vetëm për të zhvatë Kosovën gjë kjo që po ndodhë për çdo ditë, javë e vit… Me të drejtë që në fillim të këtij koalicioni, jo vetëm qytetarët e zakonshëm por as edhe vetë elektorati i partive në pushtet nuk e kanë miratuar asnjëherë ketë “kurorëzim””, ka thënë mes tjerash Lekaj, raporton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas kryetarit të GP të AAK-së, ky koalicion premtoi se “nën diktatin e tyre” do të ketë 24 orë energji elektrike, por, siç thotë ai, “realiteti është se po kemi deri në një jave terr elektrik në shumicën e Kosovës - kështu nuk mund të zhvillohet asgjë, e më së paku sektori privat i të bërit biznes e rrjedhimisht ekonomia e vendit”.
“Premtuan 320 mijë vende punë, në fakt e nxiten, përmes koalicionit të tyre, ikjen e mbi 100 mijë njerëzve vetëm brenda tre muajve të parë të qeverisjes, ndërsa për dy vite të tjera kemi patur edhe nga mbi 25 mijë azilkërkues nga Kosova në vendet tjera të Evropës e botës”, ka shtuar më tej Lekaj.
Koalicioni LDK-PDK, sipas Lekajt, premtoi qeverisje të dinjitetshme e institucione stabile, por që, siç thotë ai, “u vërtetua e kundërta, prodhuan konflikt politik, stagnim, kapje institucionesh, tentuan të krijojnë shtet brenda shtetit, tkurrje territoriale, e për UÇK-në krijuan gjykatë speciale”.
“Në tre vjet qeverisje i kemi vetëm dy njohje e dhjetëra gënjeshtra se do të na njohin edhe shumë të tjera, që në fakt nuk po ndodhin, mos të flasim se mungon kyçja e Kosovës në organizata të ndryshme e me renome ndërkombëtare, jemi larg të qenit pjesë e BE-së dhe OKB-së”, thotë Lekaj.
Kritikë tjetër ndaj koalicionit qeverisës është edhe mos-bashkëpunimi me opozitën, me mediat e shoqërinë civile. Në vend të bashkëpunimit, Lekaj tha se ky koalicion “për të tria këto dhe për qytetarët kishte përgatitur diçka tjetër, përndjekje, arrestime e kërcënime”.
“Kjo po shihet edhe sot, kur jemi në përballje për të vërtetën, tashmë të mishëruar, rreth demarkacionit”, thekson Lekaj.
Ky koalicion, sipas shefit të GP të AAK-së, Pal Lekaj, i kapi bordet e agjencionet e institucionet që në vende normale janë të pavarura edhe ato më të rëndësishmet, siç është Agjencioni i Inteligjencës, Policia e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë.
“Kanë premtuar investime të huaja, zhvillim të bujqësisë dhe atë të energjisë, në realitet, kanë investuar për vetë dhe për shokë, ua marrin subvencionet në përqindje bujqve, deri në 2018 nuk do të fillojnë punimet për rigjenerim të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike dhe çdo ditë e më pak investime nga jashtë. Në vitin e fundit, nga “reformat” e këtij koalicioni, kemi për mbi 100 milionë euro me pakë investime, kemi mbi 2500 biznese të mbyllura, rritje çmimesh në produktet jetike të qytetarëve, dyndje importi nga Serbia e aspak komunikim ekonomik me Shqipërinë, ndalje pensionesh për familjet e dëshmorëve, tendencë për të diferencuar luftën e UÇK-së, kategoritë e tyre, injorim të punonjësve të shëndetësisë, arsimit dhe të tjera kategori të viteve të ’90-ta”, ka potencuar Lekaj.
Kjo Qeveri, sipas Lekajt, prodhoi edhe protesta të punëtorëve të Postës së Kosovës, protestë të cilën zyrtari i AAK-së e quan “të drejtë”, sepse “po dëshirojnë t’ua bëjnë edhe këtyre sikur punëtorëve të KEDS-it, t’i nxjerrin nga puna, duke e bërë të mundur që t’ia shesin vetes, siç vepruan me KEDS-in”.
“Me premtimet të kthyera në gënjeshtra të këtij koalicioni, mund të shkruhet roman, por sot do ta përmbyllim me një thënie. Qytetarët e Kosovës janë përballë opsionit që të kenë një qeveri e cila do të ndërtojë shtet, apo të vazhdojmë kështu me të pasur vetëm pushtet”, ka theksuar Lekaj në fund.