Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, po qëndron për vizitë zyrtare në Kanada, ku po merr pjesë në Konferencën “Inovacionet në sektorin pyjor për një të ardhme të gjelbëruar”, e cila po mbahet në Vankuver të Kanadasë.
Kjo konferencë ka mbledhur shumë shkencëtarë dhe inovatorë nga vende të ndryshme, të cilët po diskutojnë rreth asaj se si mund të krijohet qasje inovative mjedisore dhe sociale për një të ardhme të gjelbëruar të shoqërisë sonë, inovacionet në dizajnin e drurit, për inovacionet në menaxhimin e pyjeve, politikën dhe tregun, si dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të pyjeve.
“Në këtë konferencë, rektori Bajraktari e ka përfaqësuar UShAF-in me tri punime shkencore, ku përveç tij, autorë janë edhe profesorët Florit Hoxha dhe Rrahim Sejdiu. Gjatë këtyre prezantimeve, Rektori ka folur për kapacitetet tharëse të drurit në Kosovën Juglindore, për rëndësinë e marketingut në zhvillimin e sektorit të drurit, si dhe për koston e tharjes së lëndës së drurit”, thuhet në njoftimin për media të UShAF-së.
Gjatë kësaj kohe, rektori është takuar edhe me njohës të mëdhenj të fushës së industrisë së drurit. Po ashtu, ai pati një takim edhe me menaxhmentin e lartë të Universitetit të Kolumbisë Britanike, me të cilët bisedoi për bashkëpunim ndëruniversitar në të ardhmen.
Konferenca është organizuar nga IUFRO divizioni 5 dhe Fakulteti i Pylltarisë në Universitetin e Kolumbisë Britanike, FPInnovations dhe Shoqëria e Shkencave dhe Teknologjisë së Drurit.