Ka disa muaj që një tender shumë milionësh i hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit ka mbetur i bllokuar.
Kjo agjenci, në dhjetorin e vitit të kaluar, kishte hapur fillimisht një tender me një lot për gjashtë regjione, Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë, por nuk kishte sqaruar se për çfarë institucionesh bëhet fjalë, raporton KTV.
Vlera e kontratës së parashikuar për t’u dhënë ishte 14 milionë e 650 mijë euro dhe me kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa procedura ishte e hapur.
Por, kjo agjenci u tërhoq nga vendimi për të bërë vetëm një lot pas ankesave të vazhdueshme të kompanive për shitjen e derivateve të naftës, pasi të njëjtat dyshonin se tenderi mund të fitohej po nga e njëjta kompani që e kishte pasur më herët.
Madje, sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, po shfrytëzohet vakuumi institucional pas zgjedhjeve për të bërë manovrime që janë në kundërshtim më ligjet në fuqi.
Ndërsa, njëri pronar i një kompanie që merret me derivatet e naftës hedh akuza të rënda ndaj drejtuesve të disa institucioneve të përfshira në këtë proces.
Ai thotë të mos e ketë marrë fare mundin për të konkurruar në këtë tender për faktin se, siç thotë aty, duhet të japësh një përqindje të vlerës së tenderit për njerëzit e disa institucioneve që janë të përfshirë në këtë proces.
Madje, për këtë tender ai kërkon edhe ndërhyrjen e prokurorisë, pasi aty po përgatitet sërish një lojë, pasi ka gati nëntë muaj që nuk po merret vendimi.
Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe njëri nga pronarët e një kompanie të derivateve të naftës që ka konkurruar në këtë tender.
Kohavisioni ka kërkuar sqarime, si nga zyrtarë të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, ashtu edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, nuk kanë dhënë asnjë detaj rreth këtyre pakënaqësive.