Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

The Guardian: Kosova do t’i shkaktojë dhimbje koke politikës së jashtme të Trumpit

Një fytyrë e njohur qëndron në një billbord të madh mbi rrugët e sheshet e lëna pas dore të qytetit ballkanik të veriut të Mitrovicës.

“Serbët ishin me të gjatë gjithë kohës”, shkruan në sloganin në gjuhën angleze nën imazhin gjigant të Donald Trumpit që shikon me ngulm kalimtarët, raporton The Guardian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shumë njerëz në këtë qytet me shumicë serbe në Kosovë do të pajtoheshin. Serbët iu gëzuan fitores së Trumpit, më së shumti pse e mposhti bashkëshorten e ndëshkuesit të tyre në vitet e ’90-ta, Bill Clintonit, i cili kishte udhëhequr një fushatë bombarduese të NATO-s kundër forcave serbe në Bosnje dhe Kosovë.

Tani, Ballkani sërish po luan zare me krizën. Kufijtë po kontestohen, tensionet etnike po vlojnë dhe shkëmbimet e tokave po diskutohen si opsionet e fundit për të parandaluar rrëshqitjen drejt dhunës. Harrojeni Kinën dhe Lindjen e Mesme: ish-Jugosllavia mund të jetë kokëdhimbja e vërtetë e Trumpit në politikën e jashtme, transmeton Koha.net.

“Maqedonia nuk është shtet. Më vjen keq, nuk është shtet”, tha më herët gjatë muajit Dana Rohrabacher

Muajin e kaluar, një mosmarrëveshje për një tren serb i mbuluar me sloganin “Kosova është Serbi” në disa gjuhë u dërgua drejt Mitrovicës nxiti krizën më të keqe ndër vite në rajon.

Ndonëse treni u ndalua jashtë Kosovës, anëtarët e NATO-s, Kroacia dhe Shqipëria, kërkuan nga Aleanca të rishikojë planin e saj paqeruajtës në Kosovë. Presidenti serb, Tomislav Nikoliq, tha se ai dhe djemtë e tij personalisht do t’i merrnin armët nëse serbët në Kosovë do të kërcënoheshin.

“Besoj se gjithë këto tensione nuk kanë të bëjnë fare me qytetarët”, thotë Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Mitrovicës së Veriut. “Në veri të Kosovës, ende ekziston shpresa se do t’u hiqet frika. Unë personalisht jam lodhur tej mase nga Prishtina dhe Beogradi, sepse jemi viktimizuar nga politikanë të lartë”.

The Guardian më tej shkruan edhe për problemin në Bosnje e Hercegovinë me Republikën Serbe e cila vazhdimisht kërcënon me referendum për pavarësi.

Mosmarrëveshjet e ngrira në ish-Jugosllavi

I ndarë nga këto probleme është Mali i Zi, i cili vitin e kaluar tha se institucionet ruse kanë tentuar që të organizojnë një puç.

Dhe në fund, Maqedonia, republika më jugore e ish-Jugosllavisë, e cila po orvatet të formojë një qeveri të re pas krizës politike në të cilën shqiptarët etnikë janë bërë vazhdimisht e më të padurueshëm. Vendi u trazua kur një kongresist i afërt me Trumpin propozoi që ajo të shpërbëhej dhe të ndahej mes fqinjëve.

“Maqedonia nuk është shtet. Më vjen keq, nuk është shtet”, tha më herët gjatë muajit Dana Rohrabacher, i cili kryeson komitetin kongresional për punë të jashtme dhe vazhdimisht e ka mbrojtur Vladimir Putinin, duke nxitur reagim të ashpër nga Shkupi.

Image

“Situata është katastrofale”, thotë Belgëzim Kamberi, aktivist i të drejtave të njeriut dhe anëtar i lartë i partisë radikale të Kosovës, Vetëvendosje. “Pothuajse dy dekada pas luftës, nuk ka paqe. Çështja mes shqiptarëve dhe serbëve nuk është mbyllur në Ballkan; është Izraeli dhe Palestina në Evropë”, transmeton Koha.net.

Shkëmbimi i territoreve

Si gjithmonë, rajoni vuan jo vetëm nga fërkimet e brendshme, por edhe nga faktorët e jashtëm. BE-ja, e përballur me problemet e veta ekzistenciale, është ftohur nga zgjerimi në Ballkanin Perëndimor. Qasja e administratës Trump ende nuk është e qartë tërësisht. Në ndërkohë, Rusia tenton të projektojë pushtet përgjatë një rajoni të cilin e sheh si brenda sferës së vet të ndikimit.

Kosova mbetet më e cenueshmja. Ajo shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008 por Beogradi kurrë nuk e njohu. Një marrëveshje e arritur me ndihmën e BE-së më 2013 i premtoi Serbisë lëvizje më të përshpejtuar drejt anëtarësimit, ndërsa Kosova hapa drejt statusit kandidat. Por BE ka kriza tjera në mendje tani. Dhe vijat ndarëse janë më të dukshme se kurrë më parë.

Në Kosovën veriore, rrugët janë të mbushura me flamuj serbë, dinari serb është valuta zyrtare, kompani qeveritare të Serbisë ofrojnë shërbime të ndryshme dhe gjuha e folur nëpër rrugë është në përgjithësi serbe. Veturat lëvizin pa targa; ato me targa zyrtare të Kosovës i heqin ato porsa hyjnë në veri. Për dallim nga kjo anë, Mitrovica Jugore është pothuajse krejtësisht shqiptare dhe administrohet ndaras.

“Nëse do ta sillnit dikë këtu në Veri të Mitrovicës, do të thoshin se ky vend është më shumë Serbi se Kosovë, është diçka e rreme”, thotë Hoxhiq, transmeton Koha.net. “Në fund, nuk jam e sigurt se është e qëndrueshme”.

Hoxhiq thotë se rajoni do të mund të kishte qenë më mirë sikur shkëmbimi i territoreve të ketë qenë diskutuar në fillimi të negociatave pas luftës së vitit 1999. E tani, disa analistë po e përmendin idenë e shkëmbimit të territorit sërish – për t’ia dhënë Serbisë veriun e Mitrovicës në këmbim të Luginës së Preshevës me shumicë shqiptare që do t’i jepej Kosovës.

“Tani na duhet të zgjedhim mes shumë opsioneve të këqija”, thotë Hoxhiq.

Pavarësisht simbolikës nacionaliste, ka pak apetit për konflikt në mesin e njerëzve të zakonshëm në rajon. Shumë shprehin një ndjenjë të pafuqisë përball makinacioneve gjeopolitike nga fuqitë më të mëdha, transmeton Koha.net.

“Populli serb dhe shqiptar janë më së paku fajtorë. Politikanët u hynë në mes njerëzve”, thotë Vukoje Utviq, 74-vjeç, shofer i pensionuar i ambulancës. “Mjaft luftëra kemi parë”.

Edhe diplomatët në rajon i hedhin ujë të ftohtë bisedave të konfliktit, ndonëse janë të brengosur nga ngitja e tensioneve nga ana e politikanëve me qëllim të përfitimit dhe krijimit të shpërqendrimeve në politikën e brendshme.

Image

“Ekziston vetëm një sponsor potencial për ndryshime kufitare, Rusia, e cila në fakt nuk është aq e etur për idenë, dhe nuk jam i sigurt se shtetet e reja do të mund të mbronin në të vërtetë territorin që do ta fitonin”, ka thënë një diplomat perëndimor me përvojë të gjatë në rajon. “Nuk i frikësohem një 2004-shi tjetër [ku trazira të gjera dhe sulme ndaj serbëve në Kosovë çuan në gati 30 të vdekur]. Të gjithë janë të përkushtuar në dialogun në Bruksel; ndryshimi i kufijve nuk vjen në diskutim. Kur e them këtë, them se edhe në Bosnje njerëzit janë ndierë kështu pak para luftës, dhe hamendeni në mos keni harruar diçka”.

Diplomatët e përshkruajnë vitin 2017 si një “vit ankthi” për politicizmin në rajon, me zgjedhjet në Serbi, me zgjedhje të hershme të mundshme në Kosovë dhe me zgjedhjet në Bosnje vitin e ardhshëm. Po ashtu priten edhe akuzat e para nga gjykata e re speciale e themeluar në Hagë për të gjykuar krimet e pretenduara se janë kryer nga UÇK-ja, që mund të përfshijë pjesëtarë të lartë të elitës politike të vendit, dhe me gjasë mund jetë nxitje për paqëndrueshmëri të reja.

Propozimi për shkëmbim territori ka ripërqëndruar vëmendjen edhe në Preshevë, një qytet i vogël e i varfër me shumicë shqiptare në jug të Serbisë ku barinjtë kullosin delet në kodrat që të shpijnë drejt e në sheshin kryesor. Lugina e Preshevës, e cila përfshin komunat fqinje të Bujanocit dhe Medvegjës, ishte qendër e një konflikti më 2001 në mes të autoriteteve serbe dhe kryengritësve shqiptarë të cilët kishin marrë nën kontroll pjesë të zonës menjëherë pas luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. Më 2015 në Kumanovë, një qytet vetëm 20 kilometra përtej kufirit me Maqedoninë, të shtëna mes guerilëve shqiptarë dhe forcave lokale të sigurisë la 18 të vdekur, transmeton Koha.net.

Por Shqiprim Arifi, shqiptar i moderuar i zgjedhur për kryebashkiak të Preshevës vitin e kaluar, insiston se nuk do të ketë kthim të lëvizjeve të kufijve dhe luftërave të së kaluarës. Arifi, që ka lindur dhe është rritur në Gjermani, thekson se ai ka mposhtur një bashkiak afatgjatë që bënte thirrje për bashkimin e Preshevës me Kosovën, dhe pati një qëndrim antagonist ndaj qeverisë së Beogradit. Arifi është i përqendruar në bashkëpunim me autoritetet serbe për të luftuar papunësinë prej 70 për qind të kësaj komune dhe shërbimet e shkatërruara.

“Nuk dëshirojmë të ndryshojmë kufij”, ka thënë ai për “the Guardian” në zyrën e tij të mençur në ndërtesën komunale, ku ai mban një bust të vogël të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeu. “Nuk është në interes të rajonit, dhe nuk është interes të shqiptarëve. Nëse ndryshojnë një kufi, është kuti e Pandorës, një reagim zinxhiror – Bosnja, Kosova, Maqedonia, Kurdistani. I vetmi opsion është të bëhemi bashkë përbrenda BE-së”.

Jashtë komunës shtrihet një kurorë e madhe lulesh që përkujton luftëtarët e vitit 2001, me fjalët: “Lavdi martirëve kombëtarë në mbarë trojet shqiptare”. Ajo qëndron në vendin ku ishte ngritur një memorial lufte që u hoq nga policia serbe më 2013 nën masa të rrepta të sigurisë.

Në rrugët e Preshevës, përkrahja për bashkim me Shqipërinë dhe Kosovën është e heshtur, dhe më e shfaqur në mesin e të rinjve.

“Secili person dëshiron të jetë pjesë e kombit të tij, të jetojmë së bashku, dhe në fund do të jemi të bashkuar. Por tani s’mund të ndodh pa armë – nëse do kishte qenë e mundur pa luftë, do të kishte ndodhur deri më tani”, thotë Drita Murtezi, 24-vjeçe, e diplomuara e papunë në psikologji me diplomë nga universiteti në gjuhën shqipe në Tetovë, Maqedoni, derisa bredh nëpër rrugën kryesore të Preshevës.

Por në një kafene në shesh të mbushur me muzikë ‘house’, Kamberi bën gjeste me një cigare të pandezur derisa përkrah një Shqipëri të bashkuar. “Nëse i frikësoheni luftës, nuk përparoni”, thotë ai. Duhet të jemi paqësorë, por jo pacifistë”.