Shkup, 8 qershor – Ejup Alimi, deputeti i BDI-së, njëherësh koordinator i grupit parlamentar të partisë së Ahmetit, ka komentuar deklaratën e mbrëmshme të kryeministrit Zoran Zaev lidhur me qëndrimin kundër të Qeverisë së re për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, shkruan gazeta KOHA. Në një postim në profilin e tij në Facebook, duke aluduar te Zaevi, Alimi ka shkruar se “kushdo që flet për kundërshtimin e Kosovës, qoftë edhe kundër anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare siç është UNESCO, ka folur kundër gjithë shqiptarëve kudo që janë, ka folur kundër SHBA-ve, NATO-s dhe kundër Bashkimit Evropian”.
Ja postimi i plotë i deputetit Alimi:
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Maqedonia shtetin e pavarur të Kosovës e ka njohur që para nëntë vitesh, ose saktësisht – në dhjetor të vitit 2008. Pavarësia e Kosovës është projekti më i madh i gjithë shqiptarëve, SHBA-ve, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Dhe, kushdo që flet për kundërshtimin e saj, qoftë edhe kundër anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare siç është UNESCO, ka folur kundër gjithë shqiptarëve kudo që janë, ka folur kundër SHBA-ve, NATO-s dhe kundër Bashkimit Evropian. Kosova u takon shqiptarëve dhe qytetarëve të saj, të cilët me shekujt kanë ëndërruar pavarësinë e sodit. Reterimi nuk i ngjan askujt, hiç më pak atyre që kalkulojnë herë andej e herë këndej. Qeveria e Maqedonisë dhe vendimet që i merr ajo nuk janë të një personi apo një partie politike, por të të gjithë partnerëve të barabartë në tryezën politike të saj”. (koha.mk)
Edhe analisti politik, Valon Bela ka reaguar kundër deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev për çështjen e votës në UNESKO për Kosovën. Bela e pyet kryeministrin se me cilët qeveris, me shqiptarët apo serbët.
“Zaevi paska thënë se vota e Maqedonisë pro Kosovës ka qenë gabim dhe se ai s’do votojë në të ardhmen pro Kosovës. Një pyetje deri te Zaev: Me cilët qeverisni ju, me shqiptarët apo me serbët ? Po të mos ishin shqiptarët ju do ishit në opozitë si humbës i zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Shqiptarët e Maqedonisë kanë dhënë shumë për Kosovën duke mos kursyer as edhe jetën në luftën e UÇK-së prandaj mbushuni me mend sepse “vëllezërit” e tu serb nuk janë shtetformues sikundër shqiptarët !” thotë Bela për TetovaSot.
“Maqedonia do të jetë neutrale për pranimin e Kosovës në UNESCO…”, tha Zaevi, ndërsa kritikoi Qeverinë e kaluar pse kishte lejuar ambasadorin e Maqedonisë në Paris, Agron Buxhaku, të votojë për pranimin e Kosovës në UNESCO.
Me këtë deklaratë, sigurisht që do “qetësohet” edhe presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili javë më parë, në darkën e kryeministrave në Bruksel, tha se shpreson që Zaevi ta mbajë fjalën për marrëdhëniet Maqedoni-Kosovë.
“Shpresoj që Zaevi të mbajë premtimet lidhur me Kosovën në UNESCO dhe qëndrimin kundër të Qeverisë maqedonase ndaj kësaj çështje”, pati thënë Vuçiqi.
Ndryshe, vitin e kaluar, Maqedonia votoi “për” anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa pati reaguar edhe Beogradi zyrtar.