Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ ka prezantuar gjetjet e raportit me temë “Problemet që cenojnë mirëqenien e banorëve në fshatrat dhe qytezat e Kosovës”. Qëllimi i këtij raporti është nxjerrja në pah e problemeve më prioritare me të cilat ballafaqohen banorët e komunave më të vogla të Kosovës. Këto komuna për arsye të ndryshme janë lënë anash, qoftë nga qeveria lokale, qendrore por edhe organizatat e tjera të shoqërisë civile.
Të pranishëm në këtë konferencë për medie ishin dhe partnerë lokalë prej komunave të Kaçanikut, Lipjanit e Vushtrrisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRaporti pasqyron gjetjet nga takimet me banorë në dhjetë komuna të Kosovës, Fushë Kosovë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Lipjan, Malishevë, Podujevë, Shtime, Viti dhe Vushtrri.
Dajana Berisha, drejtore ekzekutive e FIQ-it, në prezantimin e një përmbledhjeje të raportit theksoi se një ndër gjetjet kryesore, ishte nevoja që këta qytetarë kishin për takime të tilla, në të cilat ata kanë shprehur brengat dhe pakënaqësitë e tyre në raport me qeverisjen lokale dhe atë qendrore, raporton Koha.net.
Ndërsa Merita Mustafa, zyrtare në FIQ, prezantoi gjetjet e hollësishme të raportit, të cilat në të shumtën e rasteve lidhen me mungesë transparence nga ana e qeverisjes lokale për investime kapitale të cilat nuk sjellin punësim lokal, përmirësim të ambientit, apo infrastrukturës së komunës, përkundrazi kanë shkaktuar degradim të mëtejshëm të ambientit si dhe krijim të deponive ilegale.
Ndërkaq, për secilën komunë qytetarët kanë theksuar si jetike, mungesën e vendeve të punës dhe projekteve zhvillimore, gjë e cila po inkurajon familjet e sidomos të rinjtë, që ta lëshojnë vendin duke lëvizur qoftë në kryeqytet apo edhe deri në shtetet evropiane nëpërmjet emigracionit ilegal.
“Mungesa e aktiviteteve kulturore dhe sportive për të rinjtë, qasja e varfër sociale ndaj qytetarëve në nevojë, cilësia e dobët e mësimdhënies, përdorimi i substancave narkotike nga nxënësit brenda dhe jashtë ambientit të shkollës, ndotja e ambientit, i cili ka pësuar një degradim total nga mos menaxhimi i duhur i mbeturinave, ndotja e lumenjve, prerja e pakontrolluar e pyjeve, gurthyesit e pakontrolluar si dhe mungesa e investimeve në gjelbërim dhe hapësira publike, janë theksuar si disa prej problemeve kryesore nga banorët”, thuhet në raportin e FIQ-it.
“Situatë zhgënjyese që identifikuam gjatë takimeve ishte edhe tendenca tashmë e njohur e ngufatjes të sektorit të shoqërisë civile nëpërmjet krijimit te organizatave “satelite” të politikës, të cilat po e marrin rolin e pamerituar të një shoqërie të mirëfilltë civile, e që e njëjta vlen edhe për mediat e financuara nga pushteti”, potencon FIQ në këtë raport.
Hapi i parë pas këtyre gjetjeve dhe këtij raporti, sipas FIQ-it, do të jetë formimi i një koalicioni me organizatat lokale të shoqërisë civile (aty ku ka) me qytetarë, grupe informale, këshilla fshatrash, nxënës të shkollave me të cilët FIQ-i bashkërisht do të përpilojë një listë me kërkesa për zgjidhje prej 10 komunave.
“Si rezultat në secilën prej komunave, koalicioni qytetar do të monitorojë realizimin e kërkesave të qytetarëve, nivelin e llogaridhënies dhe transparencës prej pushtetit lokal. Kësisoj, FIQ synon të ndihmojë në përhapjen e kulturës së debateve publike përgjatë gjithë vitit dhe jo veç në prag të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin për media të kësaj organizate.