Shumica e bankave të mëdha në Kosovë tashmë kanë filluar të mos japin kredi nën shumën prej 20 mijë eurosh për qëllime biznesi. Prandaj, qytetarët që duan të nisin biznese të vogla zgjidhjet gjithnjë e më shumë po i kërkojnë në institucionet mikrofinanciare. Raportet flasin për rritje shifrash të kredive aktive, nga 98 milionë euro në dhjetor 2016, në 110 milionë euro në prill 2017
Gonxhe Durakut (44-vjeçare) nga Krusha e Madhe e Rahovecit që nga mosha 5-vjeçare e ëma ia kishte mësuar zanatin e qepjes dhe të qëndisjes. Edhe sot e vazhdon këtë zanat. Qep dallama, jelekë prej ari e qëndisma të tjera për pajën e nuseve shqiptare. Me fitimin që nxjerr nga punëdorja ajo e mban familjen. Me shtimin e kërkesave për veshjet tradicionale të nuseve Gonxhes iu shtua dëshira dhe nevoja për ta zgjeruar biznesin. Por, nuk kishte fonde për investime të mëtejshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZgjidhjen e problemit e ka gjetur në institucionin kryesor mikrofinanciar në Kosovë, Kreditimi Rural i Kosovës (KRK). Kredinë e parë prej 8 mijë eurosh e ka marrë më 2014, për të vazhduar pastaj më 2016 me një kredi prej 11 mijë eurosh.
“I kam dy fëmijë në studime dhe nuk kam mundësi tjetër si t’i shkolloj përveç me punën time të dorës. Si të gjithë ata që duan të bëjnë çare edhe unë u detyrova të marr kredi ”, tregon Gonxhja, e cila me kredinë nga KRK-ja ka blerë makina të qepjes dhe materialin e nevojshëm për punë. “Me rëndësi që unë kam bërë zgjidhje dhe puna po më ecën mirë”, thotë ajo, kur pyetet nëse është e kënaqur me përqindjen e interesit që paguan në kthimin e kredisë.
Me investimet që ka bërë Gonxhja u ka gjetur punë edhe shtatë grave të tjera të cilat i ndihmojnë rreth qëndismave, sidomos në sezonin e verës, kur marrin hov dasmat në Kosovë e me to edhe kërkesat për veshje tradicionale nusesh.
Nga 11 mijë klientë aktivë sa i ka KRK-ja aktualisht, 10 për qind e tyre janë gra të cilat kanë marrë kredi nga ky institucion mikrofinanciar kryesisht për biznese artizanale, prodhimtari bujqësore apo të ngritjes së fermave.
“Institucionet mikrofinanciare si KRK-ja pretendojnë përmbushjen e kërkesave dhe nevojave të klientëve të pabankizuar, të cilët nuk kanë të ardhura stabile dhe kryesisht kanë nevojë për shuma të vogla të cilat bankat komerciale në Kosovë nuk shprehin interesim t’i japin”, thotë Lulëzim Sadrija, drejtor ekzekutiv i KRK-së. Shumica e bankave të mëdha në Kosovë tashmë kanë filluar të mos japin kredi nën 20 mijë euro për qëllime biznesi. Prandaj, qytetarët si Gonxhja, që duan të nisin biznese të vogla, zgjidhjet gjithnjë e më shumë po i kërkojnë në institucionet mikrofinanciare. Aktualisht institucionet mikrofinanciare në Kosovë kanë 63 mijë klientë aktivë dhe 900 të punësuar.
Raporti i fundit i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) tregon për rritje shifrash të kredive aktive, nga 98 milionë euro sa ishte në dhjetor 2016, në 110 milionë euro në prill 2017.
Për shkak se nuk kanë të drejtën e marrjes së depozitave, sikurse bankat komerciale, institucionet mikrofinanciare fondet e tyre për kreditim i huazojnë nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Ndër kredidhënësit kryesorë të institucioneve mikrofinanciare të Kosovës është Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE).
EFSE-ja është edhe aksionari më i madh i kreditimit rural të Kosovës me 42% të aksioneve të këtij institucioni dhe me 3 milionë euro kredi. I themeluar më 15 dhjetor 2005 nga Banka për Zhvillim, KfW, me mbështetjen financiare të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe të Komisionit Evropian, EFSE synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Shqipëri, Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Kosovë, Gjeorgji, Moldavi, Malin e Zi, Rumani, Serbi, Ukrainë dhe Turqi.
Zgjerimi i natyrshëm i fokusit të fondit në bizneset e vogla si ky i Gonxhe Durakut, krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike e vendeve të rajonit ishte edhe motoja e mbledhjes së dhjetë të EFSE-së, që sivjet u mbajt në Split të Kroacisë.
Në këtë mbledhje morën pjesë guvernatorë të bankave qendrore, përfaqësues nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore, drejtues bankash dhe institucionesh mikrofinanciare, përfaqësues nga bota e biznesit dhe asaj të medias.
Mediat nga vendet që përfitojnë kredi nga EFSE-ja u njoftuan me punën e tre sipërmarrësve të Kroacisë që kanë shfrytëzuar kreditë nga partnerët e EFSE-së për të nisur apo për të zgjeruar bizneset e tyre.
Meqenëse për Kroacinë si vend bregdetar turizmi është një ndër fushat me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, dy sipërmarrës, Zheljko Zansi dhe Vitomir Juraga, kanë shfrytëzuar kreditë për blerjen e anijeve të cilat u jepen me qira turistëve për të shijuar mrekullitë natyrore të bregdetit kroat, ndërsa Shimo Zhura ka rivitalizuar restorantin e trashëguar nga familja në qytezën bregdetare në Skradin. Përveç përfitimeve personale, me kredinë nga EFSE-ja ata kanë hapur edhe disa vende pune.
Gjatë konferencës për shtyp, ku drejtues të EFSE-së iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve, për sa u përket normave të interesit, Sylvia Wisniwski, drejtore menaxhuese e Finance in Motion, tha se ky institucion bazohet mbi rregullat e tregut dhe se nuk është një institucion subvencionues.
“Normat e larta të interesit janë një qasje ndaj financimit të qëndrueshëm. Megjithatë, pavarësisht normave, financimi i NVM-ve ka kosto të larta, të cilat ne po përpiqemi që t’i ulim”, tha ajo.
Edhe Christoph Tiskens, kryetar i Bordit Drejtues, tha se EFSE-ja po punon që të ulë në maksimum këto kosto dhe se janë duke krijuar një bazë të dhënash për të lehtësuar punën në të ardhmen.
”Mbase ka ardhur koha që të vendosim kontakt të drejtpërdrejtë me klientët”, tha ai.
Sipas të dhënave të prezantuara në konferencë portfolio e Kosovës nga fondet e EFSE-së është 1 për qind. Që nga themelimi EFSE-ja ka investuar në Kosovë 79.731.971 euro të ndara në disa produkte: ndërmarrje të vogla e të mesme, agrobiznese dhe konsumatorë privatë.
"Kemi ofruar mbi 60 projekte të asistencës teknike në vlerë mbi 1.9 milionë euro të ndara në fusha të ndryshme si shitje, risk kreditor, studime të ndryshme, bujqësi, auditime të brendshme, kontrolle krediti, këshilla strategjike, trajnime të ndryshme, organizime të eventeve etj", thotë Arben Morina, analist i investimeve në Finance in Motion, që menaxhon fondin e EFSE-së.
Për kontributin e këtij institucioni financiar evropian ka folur edhe zëvendësdrejtori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, i cili ishte pjesëmarrës në konferencën e EFSE-së në Split, më 17-18 maj.
“EFSE-ja ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në sektorin bankar në Kosovë, ku marrëdhëniet financiare aktive (kryesisht në formë të kredive) në mes të EFSE-së dhe sektorit bankar në Kosovë janë rreth 10 milionë euro, përderisa kjo shumë në të kaluarën ishte akoma më e madhe”, ka thënë në një bisedë për gazetën zëvendësguvernatori Mehmeti.
Marrë parasysh mandatin dhe misionin e EFSE-së në njërën anë, si dhe nevojat e ekonomisë lokale në anën tjetër, sipas tij, akoma ka shumë fusha që EFSE-ja mund të kontribuojë në Kosovë. “Sidomos në fushën e bujqësisë”, ka thënë Mehmeti.
Drejtori i KRK-së, Lulëzim Sadrija, bën të ditur se 50 për qind e protfolios së këtij institucioni mikrofinanciar shkon për zhvillimin e bujqësisë, si një ndër fushat që aktualisht ka më së shumti nevoja Kosova.
Ndërsa, Arben Morina nga Finance in Motion tregon se diku 37 për qind e investimeve të EFSE-së nëpërmjet institucioneve financiare janë plasuar apo shfrytëzuar nga klientët që janë aktivë në vende rurale.
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.