Sipas kreut të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, janë dy probleme madhore që e pengojnë zhvillimin e prodhimit vendor, e rrjedhimisht e pamundësojnë punësimin e zhvillimin ekonomik: qasja në kapital për ndërmarrësit, qasja në tregje për prodhimet/shërbimet.
“Fondi Sovran e sanon problemin e parë. Me komponentën kredituese ky Fond do t’u ofrojë ndërmarrësve vendorë financa të përballueshme për investime, kundrejt kamatave të larta të bankave, apo zhvatjes mbytëse të fajdeve. Me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje do ta miratojmë Ligjin për Mbrojtjen e prodhimeve vendore. Me këtë ligj parashikohen përparësitë në prokurim publik për prodhuesit vendorë”, ka thënë Ymeri.
“Si dhe do ta bashkojmë tregun Kosovë Shqipëri në një treg të vetëm për prodhimet, mallrat, shërbimet dhe biznesin në përputhje me interesin kombëtar dhe praktikat e BE-së. Ky bashkim do të nisë nga harmonizimi i Sistemit Doganor me Republikën e Shqipërisë, dhe do të vijojmë me regjistrin e përbashkët civil dhe të bizneseve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Këto masa rezultatin e parë do ta kenë qarkullimin dhe bashkëpunimin pa pengesa të qytetarëve, profesionistëve dhe prodhimeve”, ka thënë ai.