Arbëri

Dukolli: Nisma do t’i ndërtojë kapacitetet e duhura për Policinë dhe Emergjencën e Kosovës

Qerkin Dukolli, përfaqësues i Nisma për Kosovën ka thënë se transformimi i Ushtrisë është tejet i nevojshëm për tërë qytetarët e Kosovës.

“Themelimi i Ushtrisë së Kosovës e ka edhe pjesën e sigurisë, por që ka mungesa të shumta”, ka thënë Dukolli, teksa ka përmendur mungesat që sipas tij Nisma do t’i realizoj.

Ai në një edicion special të Interaktivit në KTV, ka thënë se Nisma për Kosovën do t’i ndërtoj të gjitha kapacitetet e duhura si për policinë ashtu edhe për agjensionet e emergjencës në Kosovës.

“Kemi plane edhe për transportin e të lënduarve nëpër aksidente, drejt emergjencës në mënyrë të shpejtë, pra me helikopter”, gjë që sipas tij, premtimin e kanë bërë shumë të tjerë para tij por nuk e kanë realizuar.

Sipas tij, drejtori i Qendrës emergjente e ka bërë disa herë kërkesën për helikopter por që nuk është realizuar ende.

Dukolli, ka thënë se shpesh herë aksidentet me fatalitet në komunikacion përfundojnë keq, si shkas i mungesës së sigurisë.

Tutje, ai ka thënë se për sa i përket Forcave të Ushtrisë së Kosovës, është shumë e nevojshme për të gjithë qytetarët, madje edhe për serbët në Kosovë.

“Mendoj që tani gjatë kësaj kohe të fushatave, më e rëndësishme është transformimi i ushtrisë se sa debatet nëpër televizione që po mbahen”, ka thënë ai.