Kandidati i Vetëvendosjes për deputet në Kuvendin e Kosovës, Shemsi Syla ka thënë se fajtorë kryesorë për atë se pse nuk është themeluar deri tani Ushtria e Kosovës, janë udhëheqësit e këtyre 18 viteve të fundit.
“Fajtor kryesor që nuk është bërë ushtria është klasa politike që ka udhëhequr deri më tash, në këto 18 vjet. Për ta themeluar Ushtrinë ka munguar vullneti politik, e ka pasur edhe mungesë të dijes dhe të angazhimit të njerëzve që kanë udhëhequr Kosovën”, ka thënë Syla, në një edicion special të “Interaktiv-it” në KTV.
Ai ka garantuar se edhe vullneti i qytetarëve dhe i eprorëve e kadetëve të FSK-së ishte për transformimin në Ushtri.
Syla ka treguar idenë e partisë së tij, për themelimin e Ushtrisë.
“Ne do të punojmë që ta krijojmë ambientin që edhe serbët ta përkrahin formimin e ushtrisë së Kosovës. Ne nuk i shohim si serbë, por si qytetarë të Kosovës që po ashtu u duhet mbrojtja si çdo qytetari tjetër në vend”, ka thënë Syla.