Avokati Tomë Gashi ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’u ndërpritet masa e arrestit shtëpiak 4 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për terrorizëm.
Gashi, kërkesën e tij dërguar kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, e ka arsyetuar me faktin se katër të dyshuarit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, janë përfshirë nga partia Lëvizja Vetëvendosje në listën për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Duke pasur parasysh se që nga dita e sotme të gjitha subjektet politike të regjistruara në KQZ dhe të gjithë kandidatët e atyre subjekteve politike të certifikuara nga KQZ kanë të drejtë të fillojnë dhe të organizojnë fushata për promovimin e ideve të tyre politike, që partitë politike të ofrojnë programet e tyre për t’i fituar zgjedhjet e datës 11 qershor, 2017, këtë të drejtë e kanë edhe kandidatët e këtyre subjekteve politike, e që në këtë rast këtë të drejtë për fushatë parazgjedhore e kanë edhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët nga partia e tyre janë nominuar që të jenë deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkruan Gashi në arsyetimin e tij dërguar kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, raporton Koha.net.
Ai thotë se duke e pasur parasysh të drejtën kushtetuese edhe të aktivistëve të VV-së për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur nga populli si deputet të ardhshëm të Kuvendit, “unë ju lus që në kuadër të autorizimeve të juaja ligjore të ndërpreni masën e arrestit shtëpiak duka ua garantuar të drejtën kushtetuese aktivistëve të LVV-së që të organizojnë fushatën e tyre parazgjedhore duke i shpalosur projektet e tyre politike që të mund të zgjidhen deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Avokati Tomë Gashi i ka kërkuar kreut të trupit gjykues që masa e arrestit shtëpia t’u zëvendësohet me masa tjera më të buta “me të cilat do të mundësohej shfrytëzimi i së drejtës kushtetuese për organizimin e fushatës parazgjedhore nga aktivistët”, e me të cilën masë, thotë Gashi, “do të arrihet efekti i njëjtë konform dispozitës së nenit 173 të KPPK-së”.
Kujtojmë se në bazë të një aktvendimi të datës 25 mars të këtij viti, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ua kishte vazhduar masën e arrestit shtëpiak katër aktivistëve të VV-së deri në datën 28 qershor, 2017.
Krasniqi, Arifi, Haliti dhe Batusha akuzohen për sulm me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gushtin e vitit të kaluar.