Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hapet qendra informuese “Klasat për Nënat” edhe në Komunën e Prizrenit

Në një ceremoni zyrtare u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas, tani të ri-emëruara si “Klasat për Nënat” edhe në Prizren, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) – iniciativë kjo e bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Prizrenit, Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, QKMF-së dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

Mehmedali Gashi, drejtor i QKMF-së, shprehu kënaqësinë për hapjen e “Klasës për Nënat” dhe tha që “shëndeti i nënave dhe fëmijëve është prioritet i qendrës dhe si staf janë të angazhuar të punojnë në këtë drejtim”. Ai u zotua që hapja e kësaj qendre do të kontribuojë drejtpërdrejtë në shëndetin e nënave dhe fëmijëve në komunën e Prizrenit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërsa drejtoresha e Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit, Shpresa Goqaj, shprehu falënderimin për Aksionin për Nëna dhe Fëmijë për mbështetjen dhe uroi që ky të jetë një fillim i mbarë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Ndërkaq, përfaqësuesja e “Aksionit për Nëna dhe Fëmijë”, Albiona Beha, deklaroi se themelimi i Qendrës “Klasat për Nënat” në Prizren shënon pikën e 7-të, apo komunën e 6-të që inkuadron programin edukativ si pjesë të shërbimit ditor për shëndetin e nënës dhe fëmijës.

“Klasat për Nënat” në Prizren do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe atyre psikike për gratë si dhe partnerët e tyre, aktivitete këto të zhvilluara në një ambient interaktiv modern e me shumë ngjyra.

Gjatë muajit mars të këtij viti u hap qendra në komunën e Kaçanikut, ndërsa vitin e kaluar u hapën zyrtarisht edhe qendrat në Shtërpcë e Mitrovicë, ndërkaq një vit më parë në Prishtinë e Ferizaj. Aksioni për Nëna dhe Fëmijë synon të zgjerojë qendrat e tilla informuese për gratë shtatzëna dhe partnerët e tyre edhe në komuna të tjera të Kosovës që të ndihmojë në ngritjen e edukimit shëndetësor në vend në kuadër të nivelit primar shëndetësor.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Komunës së Prizrenit. Hapja e qendrës sot u mundësua falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja “Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët” në Kosovë dhe “Meet Us Halfway” në New York.