Kryetari i Degës së AAK-së në Podujevë, Fatmir Humolli, ka thënë se për shqiptarët më e rëndësishme është toka sesa shëtitja nëpër Evropë.
Ai nëpërmjet një komunikate për media, dërguar “Kohë Ditore”, ka thënë se kjo është dëshmuar në historinë e vendit. Humolli ka kërkuar që të ndalet loja në emër të lëvizjes së lirë, në emër të “ekspertëve”, e në emër të ‘miqve”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“28 vite më parë, shkurt 1989, 1300 minatorë shqiptarë hynë në grevë dhe u ngujuan në thellësi të minierave të Kosovës për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të 89’. Ata kishin mundësi të lëviznin lirshëm, por zgjodhën të kundërshtonin pushtuesin. Apo në vitet e 80’ kur studentët demonstronin fuqishëm kundër regjimit, edhe atëherë liria e lëvizjes ekzistonte, por studentët zgjodhën protestën kundër pushtuesit”, ka thënë Fatmir Humolli nëpërmjet kësaj komunikate.
“Apo koha kur Jusuf Gërvalla e intelektualë të tjerë lëviznin e vepronin jashtë vendit, por prapë punonin për të drejtat e popullit, dhe e kundërshtonin këtë regjim i cili i në fakt ua mundësonte lëvizjen e lirë”, thotë ai.
Kreu i AAK-së në Podujevë ka theksuar se pushtuesi serb gjithmonë ka qenë i interesuar që shqiptarët të ikin nga tokat e tyre dhe i ka joshur në lloj-lloj mënyrash ta bëjnë këtë. Por, sipas tij, populli i ka rezistuar këtyre tendencave.
“Sepse, për ne më shumë vlerë ka toka për të cilën u demonstrua, u luftua e u derdh gjak sesa një shëtitje nëpër Evropë.Çfarë po tentohet sot vallë, që në emër të lëvizjes pa viza të shkelet mbi të gjithë të kaluarën tonë?! Loja me ‘ekspertë’ nuk është e re për ne. ‘Ekspertë’, ‘intelektualë’ e ‘akademikë’ të tillë si Sinan Hasani e të tjerë, të shkolluar nga Jugosllavia, kishte edhe atëherë në vitet e 80’, të cilët thoshin se Kosova nuk humb asgjë me ndërrimet kushtetuese të 89”, është shprehur ish-komandanti i UÇK-së. “Apo të atyre që shanin popullin e vet, dhe kur vriteshin policët serbë në luftë me UÇK-në, thoshin se këtë e bënë Serbia, shqiptarët nuk vrasin policë serbë! Ky shkollim jugosllav po vërehet edhe sot te disa ‘ekspertë’ e ‘akademikë”, ka shtuar Humolli.
Fatmir Humolli i ka quajtur pseudo-ekspertë ata që po e përkrahin marrëveshjen e arritur në Bruksel për demarkacionin me Malin e Zi. Ai ka thënë se të njëjtën gjë e bënë edhe me Maqedoninë. Ka kërkuar që të ngritët padi ndaj atyre që ia falën tokën Maqedonisë.
“Këta pseudo-ekspertë ia falën Maqedonisë tokën e Kosovës, e sot shihe si arsyetohen: ‘Maqedonisë i falëm territor e nuk fituam asgjë, ndërsa me Malin e Zi po përfitojmë liberalizim – arritje e lartë kjo’.Le të ngritet padi kundër këtij komisioni që ia fali Maqedonisë tokën e Dragashit të Kosovës, dhe le të merren prokurorët e shtetit dhe organet e drejtësisë me këtë shitje tradhtare”, është shprehur Humolli. “Këta pseudo-ekspertë, e matën territorin e Kosovës ende pa i caktuar pikat kufitare dhe erdhën në përfundim që Kosova ka territor më shumë se sa kemi menduar – ky do të jetë arsyetimi se pse do t’i falin territor Serbisë kur të vijë koha e demarkimit me të”.
Arsye tjetër e përdorur nga qeveritarët, sipas tij, është mbështetja e shteteve ‘mike’ të Kosovës të cilat kinse po e mbështetin këtë version të demarkacionit.
“Dua t’ua rikujtoj qeverisë që të bëjnë dallimin e miqve të vërtetë prej atyre jo të vërtetë, atyre që na thoshin të luftojmë për të drejtat tona, dhe atyre që na thoshin të durojmë gjenocidin, e UÇK-në e quanin terroriste, thoshin se Jugosllavia nuk duhet të prishet, dhe historikisht këshilluan e vepruan në dëm të Kombit tonë. Luftëtarët e lirisë ditën se me cilët miq të bashkëpunojnë, dhe falë luftës së tyre sot jemi në një pozicion shumë më të favorshëm se që ishim atëherë kur i dëgjonim ‘miqtë’ e gabuar”, ka thënë kryetari i AAK-së në Podujevë. “Mali i Zi, shtet ‘mik’ i ndërtuar në tokat 1hqiptare me ndihmën e të cekurve më lartë të cilët sot tentojnë që me firmën e përfaqësuesve të zgjedhur nga populli i Kosovës t’i falin tokë të cilën as Serbia nuk ia dha në 74’.Një miqësi të tillë duhet ta ndalim sa nuk është vonë, sepse nesër kur në Mal të Zi të fitojë krahu pro-rus, këto toka mund të shërbejnë për ta kontrolluar tërë territorin e Kosovës, sepse kanë një pozicion shumë të favorshëm ushtarakisht. Kush garanton se nesër nuk do të fitojë ky krah, kur shihet ndikimi i Rusisë sot në Evropë?”
Fatmir Humolli ka kërkuar nga të gjithë deputetët që të mos e votojnë versionin e tanishëm të demarkacionit me Malin e Zi.
“Le të pyesin veten, kreu i shtetit, kryeparlamentari, presidenti dhe të gjithë ministrat e deputetët: A është kjo qeveri e Kosovës, apo është e ndërkombëtarëve?Kë po e përfaqësojnë, popullin e Kosovës apo atë të Malit të Zi?Kërkoj nga deputetët e Kosovës të mos korruptohen nga ‘miqtë’ e Bashkimi Evropian të cilët me shumë vrull thirren në luftën kundër korrupsionit, e kushtëzojnë lëvizjen e lirë me të, ndërsa Kosovës i kërkojnë ta falin Kullën e Çakorrin për të lëvizur lirshëm – a nuk është korrupsion i pastër ky që BE-ja po ia bënë qeverisë së Kosovës?!”, thotë Humolli.