Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lajmet e rrejshme dhe pronësia e portaleve sfidë për mediat online në Kosovë

Lajmet e rrejshme dhe pronësia e portaleve janë cilësuar si sfidë për mediat online në Kosovë, në konferencën e organizuar nga OSBE-ja me temën “Gjendja e mediave online në Kosovë”, raporton Koha.net.

Në këtë konferencë është vlerësuar se gjendja e mediave në Kosovës është shumë e vështirë dhe kodi etik nuk respektohet në tërësi nga disa media, të cilat kanë përmbajtje jo etike. Në konferencë është cilësuar si sfidë adresa dhe pronësia e portaleve, të cilat vetëm mund të hamendësohet se në pronësi të kujt janë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Derisa ka folur për lajmet e rrejshme, kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami, ka përmendur lajmin e 1 prillit se George Washingtoni ka prejardhje shqiptare. Kjo gënjeshtër e 1 prillit vazhdon të qarkullojë nëpër mediat shqiptare si lajm i vërtetë.

“Satira dhe lajmet e 1 prillit nuk janë lajme të rrejshme. Problemi tani qëndron te aspekti teknik dhe teknologjik. Portalet nuk kanë redaktorë, gazetarë dhe lektorë. Tani është veç një person që i kryen të gjitha këto. Ne në muzikë i themi ‘One man band’”, ka thënë Bajrami.

Ai ka bërë thirrje që mediat online të mos jenë pjesë e Këshillit të Mediave të Shkruara, pasi tani kanë përmbajtje me video. Sipas kryeredaktorit të Kohës Ditore, mediat online duhet të krijojnë një kod të vetin dhe të mos jenë pjesë e KMSH-së.

Ai ka theksuar se duhet të bëhet rregullimi i biznesit të mediumeve dhe jo të rregullohet përmbajtja e tyre, pasi, sipas tij, do të ishte shkelje e lirisë së shprehjes.

“Edhe nëse ato do të transmetonin një gënjeshtër, kjo do të ishte shkelje e lirisë së shprehjes, por pasojat për atë lajm duhet t’i bartë ai medium. Duhet të bëhet rregullimi i mediumit si biznes, pasi shumë prej tyre nuk paguajnë tatim”, ka thënë Bajrami.

Imer Mushkolaj, kryesues i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ka theksuar se mediat online në Kosovë janë lehtësisht të dallueshme se cilit pronar i përkasin në bazë të asaj se çfarë plasojnë. Mushkolaj tha se është me shumë rëndësi të diskutohet çështja e vërtetësisë dhe kuptimit të përmbajtjes së lajmeve, të cilat i konsumojmë çdo ditë.

“Kodi etik ekziston për mediat e shkruara, por mediat e caktuara nuk duan ta respektojnë këtë kod”, ka thënë Mushkolaj.

Xhevahire Izmaku, kryetare e Komisionit për Media të Kuvendit tashmë të shpërndarë, tha se gjendja e mediave në Kosovë është në situatë shumë të vështirë. Sipas saj kodi etik në to është shumë periferik, derisa ka theksuar se ka përmbajtje të cilët lëndojnë shumë qytetarë.

Izmaku tha se ekzistojnë qindra portale të cilave nuk i dihen adresat dhe as pronarët ose kush i financon. Ajo po ashtu theksoi se ndër sfidat me të cilat përballen mediat janë gjuha e urrejtës dhe keqinformimi.