Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ORCA: 40 profesorë jomeritorë pritet të marrin kontrata të përhershme pune në UP

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, përmes një komunikate dërguar mediave, ka thënë se Senati i Universitetit të Prishtinës do të avancojë në gradën më të lartë dhe të përhershme akademike 40 profesorë jomeritorë.

Sipas organizatës, në mbledhjen e caktuar për datën 31 maj 2017, ditën e mërkurë, “Senati ka planifikuar që t’i çojë në proces të avancimit 45 profesorë për t’iu dhënë atyre gradën e fundit dhe të përhershme akademike, atë të profesorit të rregullt”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

ORCA thotë se është e shqetësuar me raportet pozitive që janë dhënë për 43 nga 45 kandidatët ndërkohë që organizata thotë të ketë hulumtuar punën e tyre shkencore.

“Për 40 kandidatë nuk është dëshmuar se i plotësojnë kriteret e Statutit të UP-së nga neni 175, pika 1.2.1 ku kërkohen të paktën 5 punime shkencore; ose nga pika 1.2.7e cila kërkon udhëheqje të temave të master dhe doktoratës. Ndërsa, për 3 të tjerë nuk ka evidenca të mjaftueshme se i plotësojnë kriteret e Statutit të UP-së nga neni 175, pika 1.2.7 e cila kërkon udhëheqje të temave të master dhe doktoratës”, thotë ORCA.

Sipas kësaj organizate, që mëton rritjen e cilësisë në arsim, moszbatimi i kritereve në këtë rast do të prodhojë 43 profesorë të cilët “do të kenë kontrata të përhershme dhe ndaj të cilëve nuk do të kërkohet më punë shkencore, që do të thotë se 43 profesorët e graduar pa i përmbushur kriteret nuk do të jenë më subjekt i asnjë shqyrtimi profesional, akademik dhe etik”.

“Kjo situatë e çon Universitetin e Prishtinës dhe kualitetin e arsimit brenda tij drejt një shkatërrimi sistematik i cili do të prodhojë një katastrofë arsimore, profesionale e akademike në vend”, thekson ORCA.

Organizata në fjalë ka rikujtuar se Universiteti i Prishtinës është bartësi kryesor i arsimit të lartë në Kosovë dhe se e ardhmja shkencore dhe profesionale e vendit varet nga ky universitet.

ORCA i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që përmes mekanizmave të saj ligjor të sigurohet që ligjet e vendit dhe Statuti i UP-së i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të zbatohen në përpikmëri.

Organizata po ashtu i ka bërë thirrje shoqërisë civile dhe organizatave studentore për mobilizim dhe vigjilencë “ashtuqë në Universitetin e Prishtinës të mos instalohen njerëz jokompetentë në pamundësi për t’i kontestuar më”.

ORCA thotë se do t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe institucionalë përpara marrjes së veprimeve të tjera demokratike për parandalimin e dukurive të tilla negative.