Drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka njoftuar se Z-Mobile do të marrë rreth 100 mijë numra të rinj nga Telekomi, si pjesë e marrëveshjes së re të nënshkruar sot.
Ai ka sqaruar marrëveshjen e nënshkruar me Z-Mobile për mospagimin e gjobës prej rreth 30 milionë euro drejt Z-Mobilet, sipas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit të marrë në fund të vitit të shkuar.
“Duhet të kemi parasysh se vendimi i Arbitrazhit që erdhi pas një procesi gati dy vjet, ishte vendim valid që kishte ardhur dhe dihet që vendimi i Arbitrazhit është vendim që duhet zbatuar. Fakti i dytë ishte nënshkrimi i kontratës mes palëve i nënshkruar më 2009. Numeracioni shtesë ishte dashur t’i jepej Z-Mobilet dhe për çdo tejkalim kemi pasur pesë mijë euro gjobë ditore. Është dashur t’ia japim dhe tani do ta bëjmë. Kanë kërkuar 100 mijë numra me numrin që starton me 7, pra 045 -7. Atyre do t’iu referohemi prej 80-90 mijë numra”, ka shpjeguar Mustafa.
Në Interaktiv të KTV-së, Mustafa ka thënë se bisedimet për një marrëveshje të tillë ishin shumë të vështira dhe se disa herë kishin dështuar.
“Në janar apo shkurt kanë filluar kontaktet e para dhe kemi filluar të afrohemi për realizimin e këtij vendimi. Nuk kanë qenë bisedat shumë frytdhënëse. Pas një kohe filluam sërish dhe pamë gatishmëri më të lartë të zyrtarëve të Z–Mobilet”, ka thënë ai. “Në momentin sot që po flasim, flasim për rreth 32 milionë euro obligime ndaj Z-Mobilet. E kemi ditur se një pagesë e tillë ishte e pamundshme. Duhej t’i ikim ekzekutimit të dhunshëm. Ka qenë çështje muajsh që të nisë ekzekutimi me përmbarues privatë dhe të bllokoheshin llogaritë tona”.
Obligimi tjetër është që shpenzimet e Arbitrazhit duhet t’i paguajë Telekomi i Kosovës.