Arbëri

Sipas Abdixhikut, është koha që shteti të udhëhiqet nga ekspertët

Anëtari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se ka ardhur koha që Kosova të udhëhiqet nga ekspertët dhe nga njohësit e fushave të ndryshme.

Në Interaktiv të KTV-së, pak orë pas aderimit në LDK ka thënë se partia e tij nuk do të sjellë platformë që premton numra, por do të sjellë platformë afatgjate për tetë deri dhjetë vjet.

“Do të provojmë të sjellim një platformë për qytetarët. Jam kundër premtimeve të 100-200 mijë vendeve të punës, dhe dalldisjeve të tyre. Do të japim një platformë më të gjatë, s’po flasim për katër vite, por për platformë afatgjate 8-10 viteve. Duhet të ndërtojmë shtyllat e integritetit të shtetit. Zhvillimi duhet me qenë shumë i thjeshtë, duhet të kemi punësim për familjet kosovare, rregullimin shëndetësor, arsimin dhe drejtësinë. Kemi filluar punën, ne kemi filluar të shtrojmë idetë. Nuk duhet të shpërqendrohemi të flasim për debate të kota, si ato të luftës e të paqes. Kemi njohës të mirë të fushave të ndryshme që mund të kontribuojnë, dhe unë mund të jap më të mirën në aspektin ekonomik. Kosova duhet të fokusohet te ekspertët e vet. Hoti është kandidati më konsensual brenda LDK-së, por i vetëm s’mund të bëjë asgjë, është ekipi ai që bën më të mirën. Kemi kandidatin e duhur në momentin e duhur, është koha e ekspertëve dhe njohësve të fushave”, ka deklaruar Abdixhiku.