Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar limitin e shpenzimeve të fushatës për subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme në shumën afër 100 mijë euro.
Në këtë mbledhje të KQZ-së u bë e ditur se sipas regjistrit civil janë 1 milion e 885 mijë votues.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMiradije Mavriqi, drejtoreshë ekzekutive për regjistrimin e partive politike dhe certifikim, tha se shuma e limituar për subjektet politike për shpenzim të fushatës është nën një milion euro.
“Në bazë të votuesve, ose në bazë të regjistrit civil që na është dorëzuar për votuesit e regjistruar të cilët janë 1 milion e 885 mijë e 147 votues të regjistruar dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, për një votues llogaritet 0.50 cent dhe shuma e limituar për subjektet politike për shpenzim të fushatës është 942 mijë e 573 euro e 50 cent”, bëri të ditur ajo.
Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se 942 mije e 573 euro është shuma më e lartë që një parti politike mund të shpenzojë për fushatë zgjedhore për këto zgjedhje.
“Në qoftë se jam e saktë 942 mijë e 573 euro është shuma më e lartë të cilën një subjekt politik mundet me shpenzua për fushatë zgjedhore për këto zgjedhje”, tha ajo.
Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i SKQZ-së, tha se në bazë të regjistrit civil numri i votuesve është 1 milion e 885 mijë e 147 votues.
“Me datën 12 maj ka pranuar ekstraktin e parë nga regjistri qendror, pra ekstraktin e parë të regjistrit civil nga agjencioni për regjistrimin civil që përmban personat mbi moshën 18 vjeçare, pra ata që kanë të drejtë që të votojnë dhe ata që i bëjnë 18 vjet në ditën e zgjedhjeve. Po ashtu, pas pranimit të këtij ekstrakti është duke u bërë caktimi i votuesve nëpër qendrat e votimit. Sa i përket numrit të votuesve tash është 1 milion e 885 mijë e 147 votues, por sa i takon dimensionit të votimit jashtë Kosovës si fazë konform planit operatcional fillon sot me 15 maj dhe përfundon me datën 22 maj”, tha ai.
Në këtë mbledhje të KQZ-së, është bërë e ditur se është miratuar partia “Partija Kosovskih SRBA-PKS”. Anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi, tha se është mirë që kjo parti ka respektuar rekomandimet e KQZ-së dhe e ka ndërruar emrin dhe ka ndryshuar logon.
“Sa i përket vërejtjeve më vjen shumë mirë që kjo parti politike i ka respektuar rekomandimet e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe e ka ndërruar emrin dhe ka ndryshuar logon. Mbi të gjitha çka më vjen mirë, unë kam parë zotimet e saj brenda statutit që ai do të njehë rregullat dhe ligjet e Republikës së Kosovës që kjo është me shumë rëndësi, edhe për integrimin e kësaj pjese të komunitetit në Kosovë”, tha ai.
Miradije Mavriqi, drejtoreshë ekzekutive për regjistrimin e partive politike dhe certifikim, tha se me nenet e legjislacionit që kanë nuk kanë parë ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me këto nene.
“Me nenet e legjislacionit që i kemi zyra nuk ka parë ndonjë prioritet që do të kishte me ndodh, ose diçka si emër i veçantë, sepse nuk është irritues, nuk përfaqëson emri që kish me simbolizua kundër ndonjë partie tjetër apo individi. Kështu që zyra është bazuar në këto nene të atij ligji”, tha ajo.
Kurse, Iir Gashi, anëtarë i KQZ-së, tha se e mira është se kjo parti po regjistrohet në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës.
“E mira është që kjo parti po regjistrohet në përputhshmëri me ligjet e republikës së Kosovës dhe ka marrë parasysh rekomandimet tona si institucion, ka bërë ndryshimet e nevojshme. Kështu që unë jam pro që të miratohet duke qenë ne të vetëdijshëm që vazhdimisht do ti përcjellim se sa do të jenë të zbatueshme këto programe, këto statute të partive politike”, tha ai.
Kurse, Besnik Buzhala, nga zyra për votues nga diaspora, tha se procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit fillon sot dhe do të zgjasë deri më 22 maj.
“Fillon sot me datën 15 dhe do të përfundoj me datën 22 maj 2017, ne lidhur me përgatitjet për periudhën e aplikimit për regjistrim i kemi publikuar pikat shpërndarëse që janë diku rreth 169, ku në këto pika shpërndarëse bëjnë pjesë edhe ambasadat e Republikës së Kosovës dhe personat kontaktues të subjekteve politike që janë të regjistruara në Republikën e Kosovës. Deri tash diku na kanë ardhur 100 kërkesa për aplikim të cilat do të thotë kemi filluar me i procesuar dhe në të njëjtën kohë me i njoftua votuesit për statusin e tyre të aplikimit”, tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme kanë ardhur pas prishjes së koalicionit në mes të PDK-së dhe LDK-së.