Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dje në Lubjanë u varros veprimtari Gjon Simoni

Dje në Lubjanë u varros Gjon Simoni, veprimtari i cili pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi çështjes kombëtare. Ai vdiq në moshën 81 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Lamtumirën e fundit ia dha prof. Martin Berisha, po ashtu një veprimtar i dalluar në të gjitha proceset e çlirimit të Kosovës. Berisha, në praninë e shumë shqiptarëve dhe sllovenëve, që ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, tha se Gjon Simoni ishte dhe mbeti ikonë e angazhimit të përkushtuar për çlirimin e kombit dhe të vendit që i përkiste.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ishte jo vetëm njeriu që u prini proceseve, por edhe që u dha shpresa njerëzve që i kishin humbur ato në një luftë të pabarabartë midis pushtuesit serb dhe shqiptarëve të paarmatosur. Në këtë funksion ai në Lubjanë themeloi shoqatën “Migjeni”, e cila nuk ushtroi vetëm mision kulturor, siç ishte emërtuar, por më shumë politik e shumë domethënës kombëtar, në rrethanat e një errësire të krijuar nga propaganda e shkathët serbe.

Në këtë funksion ai nuk kurseu as kontributin material, si një argjendar, që kishte braktisur Prizrenin e lindjes në kërkim të hapësirave për të bërë më shumë për vendin e kombin që po e kërcënonte zhdukja. Për këtë qëllim atje nisi edhe botimin e revistës “Alternativa”, e cila do të kthehej në një zë të fuqishëm të çështjes kombëtare dhe referimi për të vërtetën mbi Kosovën.

Berisha nuk la pa përmendur se shtëpia e Gjon Simonit në Lubjanë qe shndërruar në një pikë ku mblidheshin veprimtarët shqiptarë nga hapësira e atëhershme të Jugosllavisë, posaçërisht pas luftës midis forcave të Mbrojtjes Territoriale të Sllovenisë me Armatën Popullore të Jugosllavisë, e cila përfundoi me largimin e kësaj të fundit përfundimisht nga kjo republikë, duke shënuar edhe fillimin e luftës që do të zhbëjë Jugosllavinë. Shumë ushtarë e eprorë shqiptarë, që ndodheshin me shërim në Slloveni iu bashkuan radhëve sllovene dhe braktisën Ushtrinë Jugosllave. Kurse shtëpia dhe vetë Gjoni u bënë pika strehimi e rrugëdaljeje për ta.

Në varrimin e tij, pos shumë shqiptarëve me banim në Slloveni, mori pjesë edhe Janez Jansha dhe veprimtarë të tjerë të Pranverës së njohur Sllovene, me të cilët Gjon Simoni bashkëpunoi ndër vite për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve të saj.