Arbëri

Mustafa: PDK-ja ose përdori opozitën si vegël ose u bë vegël e opozitës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për RTV21, tha se nuk e ka pritur një veprim të tillë që partnerët e koalicionit ta votojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“Kjo qeveri ka qenë qeveri e koalicionit, në të cilën themi aksionarë kryesorë kemi qenë ne, LDK-ja dhe PDK-ja me numër të njëjtë të ministrave dhe përgjegjësi të ndara”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se ai ka menduar se PDK-ja edhe përkundër asaj që mund të kenë një lloj rivaliteti me LDK-në, megjithatë i respektojnë ministrat dhe përgjegjësitë e tyre, shkruan rtv21.tv.

“Në qoftë se ka nevojë të bëhet mocioni, atëherë do të duhej që PDK-ja ta bënte vet këtë dhe jo që të shfrytëzonte opozitën si vegël, ose të bëhet vet vegël e opozitës për rrëzimin e Qeverisë”, shtoi Mustafa.

Sipas tij, ky nuk është një mocion i tradhtisë për ta, por nëse është tradhtuar dikush atëherë janë tradhtuar vet ministrat ose anëtarët e kabinetit të PDK-së.

“Si veprime nuk janë veprime të mira, sepse ato ishte dashur të jenë të hapura edhe të diskutohen më herët që ata kanë tendencë të bëjnë të tillë, sepse më vonë u pa që gjithë ata e kanë përgatitur këtë, sepse dolën edhe deklaratat e Kryetarit të Kuvendit dhe përgatitjet e Presidentit”, përfundoi Mustafa.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa të gjitha zhvillimet që quan në rrëzimin e qeverisë, i konsideron si një pasqyrim i keq i vendit karshi ndërkombëtarëve dhe investitorëve të huaj.

“Kemi dhënë një shenjë shumë të keqe në komunitetin ndërkombëtar dhe për investitorët e huaj që ky vend është jostabil që kur donë mblidhen pesë a gjashtë vetë, që kanë probleme me ligjin e bëjnë një kërkesë për mocion”, është shprehur Mustafa.

Sipas tij, zhurmagjitë më të mëdhenj për prishjen e koalicionin ishin ata që përmenden që kanë probleme me ligjin.

Ka komentuar edhe faktin që sipas tij, LDK-ja trashëgoi miliona euro borxhe nga PDK-ja.

Penalizimin PDK-ja ia ka bërë vetvetes, assesi Qeverisë e as mua, tha Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa konsideron se asnjë Qeveri e mëparshme nuk ka qenë e suksesshme në synimet themelore dhe realizimin e programit qeverisës, pasi sipas tij, gjatë kësaj kohe është arritur rritja më e madhe ekonomike që ka pasur Kosova ndonjëherë.

“Partneri siç duket i është frikuar sukseseve dhe është frikuar se në qoftë se edhe më tutje vazhdon kjo qeverisje atëherë qeverisja e partnerit që ka qenë periudhën e kaluar, do të del nën pah që ka qenë qeverisje e dështuar”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se në ardhjen prapë në pushtet, LDK-ja ka trashëguar një situatë shumë të keqe, por që nuk dashur të flas për arsye të partneritetit.

“Kemi trashëguar 140 milionë borxhe të krijuara të cilat nuk kanë qenë fare të prezantuara në buxhetin që ne e kemi trashëguar të përgatitur nga PDK në vitin 2014”, u shpreh Mustafa./RTV21