Arbëri

Hamiti: Kontrata me Monaco Telekomin, krim i madh

Eksperti ndërkombëtar i telekomunikacionit, profesori Ismet Hamiti ishte mysafir i emisionit “Puls” në KTV.

Ka kujtuar se edhe publikisht e kishte thënë se kontrata me Monako Telekomin është ndër krimet më të mëdha ndodhur në Kosovën e pasluftës.

“Edhe sot e kësaj dite, një pjesë e madhe e të hyrave të PTK-së vazhdon t’i shkojë Monako Telekomit. Ajo kontratë është krim i madh, sepse është e kundërligjshme, sepse nuk ka të drejtë Monako Telekom me tregtu me kodin shtetëror. Kjo nuk lejohet me rregulla të ITU-së, pra është i ndaluar, është në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare”, ka thënë Hamiti.

Sipas Hamitit, Monako Telekomi ka fituar më shumë se të gjitha mjetet që janë fituar deri më sot nga pasuria e Kosovës.

“Për këtë është eliminuar inxhinieri i njohur Bedri Rama për shkak se ka qenë kundërshtuesi më i madh i kësaj kontrate dhe e kanë akuzuar për korrupsion dhe pas 8 muajve është shpallur i pafajshëm”, ka thënë Hamiti.