Ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, sinonim i qytetit të ndarë, por me nostalgjinë se një ditë do të bashkohet, u shndërrua në simbol të kronologjisë pothuajse të të gjitha ngjarjeve të errëta në këtë qytet, prej pasluftës e deri më sot.
Këtu protestuan qytetarë, studentë, punëtorë, pensionistë, kundër ndarjes së qytetit, kundër barrikadave, pati tensione ndëretnike, ndërsa nuk munguan as sulmet me armë, duke e shndërruar këtë urë si pikën më të nxehtë në vend.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShpeshherë zhvillimet politike në vend, madje edhe ngjarjet sportive ku janë përfshirë përfaqësueset e Shqipërisë, Serbisë, ose edhe vendeve mike të shqiptarëve, kanë reflektuar për pak minuta duke shkaktuar ‘termet’ në qytetin e Mitrovicës, ndërsa pika e tensioneve ishte sërish ura mbi Ibër.
Ura, tashmë e famshme për faktin se mbi supet e saj mban mbi 1 mijë incidente të ndryshme përgjatë këtyre 18 viteve, ka ndryshuar pamjen disa herë, ndërsa punimet e fundit rreth saj krijuan konfuzion, paqartësi e tensione tek qytetarët e Kosovës dhe kanë ngjallur mosbesim ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Halit Barani, kryetar i KMLDNJ-së në Mitrovicë, kujton 26 qershorit të vitit 1999 kur ushtarët francezë mbyllën urën me gjemborë, duke thënë se ajo nuk u hap më kurrë.
Sipas tij, dikush edhe mund të mendojë se ura është hapur dhe mbyllur herë-herë për qarkullim, por këmbëngulë se ajo është mbyllur në datën e lartpërmendur dhe nuk është hapur më asnjëherë.
Duke bërë një përshkrim të ngjarjeve që nga viti 1999 deri në ditët e sotme të cilat ndodhën tek ura kryesore mbi Ibër, Barani një pjesë të fajit ua hedhë paqeruajtësve ndërkombëtarë, ndërsa revitalizimin e ka quajtur vjedhje parash dhe krejtësisht të panevojshëm.
Ai nuk sheh bashkim të qytetit, duke thënë se kjo çështje tashmë veç ka përfunduar, por një lëvizje më e shprehur e qytetarëve shqiptarë mund të ndodhë, shumë vite më vonë.
“Saktësisht më 26 qershor të vitit 1999 kur është bërë një marshim i popullatës shqiptare të cilët dolën matanë urës, kur jemi kthyer i kemi ra nga hekurudha dhe kur jemi kthyer për herë të dytë me dal matanë, ushtria franceze i kanë vënë telat gjemborë në hyrje të urës, do të thotë më 26 qershor 1999, dhe prej asaj dite më ura nuk është hapur. Ndoshta dikush mendon se është hapur kohë pas kohe dhe është mbyllur, por është mbyllur dhe më nuk është hapur… Aty të kanë kontrolluar bandat kriminele çetnike serbe kanë pritur matanë, dhe si ke dal matanë urës i kanë keqtrajtuar shqiptarët në mënyrën më mizore… KFOR-i ka bërë sehir, ka shikuar dhe asgjë tjetër… Unë posedoj edhe video incizim me kamerë, si dhe fotografi, që KFOR-i vetë i ka lidhur shqiptarët në urë, ata të cilët kanë tentuar të dalin matanë urës, i kanë lidhur, i kanë mbështetur për autoblinda dhe i kanë kontrolluar… Duke filluar prej orës 21:00 në mbrëmje të datës 3, e deri në orën 4:00 të mëngjesit të datës 4 shkurt të vitit 2000, në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës janë pushkatuar brenda nëpër shtëpitë dhe banesat e tyre 10 shqiptarë pa dallim moshe e gjinie… Saktë kanë qenë të vrarë 10 shqiptarë, 25 tjerë të plagosur me armë zjarri, 93 tjerë të keqtrajtuar shumë rëndë fizikisht, dhe prej 3 e 4 shkurt të vitit 2000 dhe deri në mars të vitit 2004, nga pjesa e okupuar e qytetit të Mitrovicës janë dëbuar me dhunë 1564 familje me 11 mijë e 364 anëtarë… Në vitin 2004 saktësisht më 16 mars në fshatin Çabër të Zubin Potokut, banditët dhe kriminelët serbë, kanë ndjekur pesë të rinj shqiptarë, prej të cilëve tre kanë rënë në Ibër… Dy prej tyre kanë shpëtuar dhe janë gjallë, ndërsa tre janë mbytur në ujë. Serbët i kanë ndjekur me qenë. Pastaj prej mllefit shqiptarët kanë dalë, së pari punëtorët shëndetësorë kanë protestuar në qytetin e Mitrovicës, protestat kanë qenë të qeta… Fatkeqësisht protesta ka marr përmasa më të gjera, është përshkallëzuar, dhe më 17 mars të vitit 2004 në Mitrovicë u vranë katër shqiptarë dhe dy serbë… si dhe u plagosën shumë të tjerë me armë zjarri… Do të thotë kanë qenë ato protesta të përgjakshme të organizuara jo nga shqiptarët sigurisht, por nga qarqe tjera të ndihmuara edhe nga një pjesë e atyre paqeruajtës që quhen të Bashkësisë Ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Ai ka kujtuar edhe 22 korrikun e vitit 2011, kur katër kamionët e parë me zhavorr janë zbarkuar në urën e lumit Ibër.
“Pastaj kohë pas kohe kanë sjellë prapë zhavorr, beton, e gjëra të ndryshme të ngurta, duke bllokuar plotësisht urën dhe më nuk ka pasur lëvizje nëpër urën qendrore, sepse ka edhe ura tjera… Në orët e mëngjesit u hoq barrikada, zhavorrin që e kishin vendosur vetë bandat kriminele çetnike serbe të ndihmuar prapë po e ceku nga një pjesë e Bashkësisë Ndërkombëtare. Dhe të njëjtën ditë, diku rreth orës 11:30 është vendosur i ashtuquajturi parku i paqes…dhe kjo është bërë në prani të një pjese të Bashkësisë Ndërkombëtare, përkatësisht të paqeruajtësve në Mitrovicë, ku ka pasur KFOR danezë, francezë, suedezë dhe sllovenë… Unë nuk e di çka nënkuptojnë këta kur e quajnë rivitalizim, sepse kjo urë, ai asfalt që ka qenë dhe ato pjesë të betonit, kur janë vendosur, këtë e ka punuar ushtria franceze, më nuk është përdorur nga automjetet, shumë rrallë nga ndonjë këmbësor, dhe pa si nuk është përdorur, qenka prishur edhe asfalti dhe betoni, sepse nuk është përdorur nga askush… Dhe tash po u deshka me u rivitalizu, përkatësisht me i harxhuar një milion e sa euro. Unë mendoj, saktësisht dihet se gjithë ato lekë që janë dhënë dikush i ka shti në xhep, sepse nuk ka pasur nevojë kurrfarë rivitalizimi… vendorët bashkë me ndërkombëtarët… Është e mundur që ura do të bashkojë në ato data që janë cekur, por vitet nuk i kanë përmendur. Është e mundur në vitin 2036, jo me u bashku qyteti, sepse ajo është punë e kryer, por do të jetë një lëvizje pak më e lirshme për banorët shqiptarë, sepse për serbë ka qenë gjithherë e lirshme jo vetëm Mitrovica dhe kjo urë, por mbarë Kosova”, ka thënë Barani.
Analisti nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiq, theksoi se ura kryesore e Ibrit për fat të keq, prej pasluftës ka qenë simbol i ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve.
Sipas tij, gjithçka është zhvilluar në këtë urë, përveç ngjarjeve të mira.
Ai potencoi se në Kosovë gjithçka është bërë politikë, duke përfshirë këtu urat, lëvizjen e lirë, por edhe vetë jetën e qytetarëve.
Analisti malazez nga veriu, u shpreh i bindur se politikanët nuk mund t’i bashkojnë serbët dhe shqiptarët, dhe sugjeroi që ata duhet vetë të bashkohen duke kuptuar se e ardhmja e tyre është rruga e paqes, prosperitetit dhe integrimit në bashkëjetesë.
“Sot është një situatë pak më e mirë, por në vitin 1999 dhe tutje, ura ka qenë vendi i ndarjes mes serbëve dhe shqiptarëve. Në të gjitha vendet normale dhe të civilizuara urat shërbejnë për bashkimin e njerëzve, këtu nuk ka qenë ky shembull…Gjithçka është zhvilluar në këtë urë, përleshje të shqiptarëve e serbëve, përleshje mes shqiptarëve dhe KFOR-it, pastaj mes KFOR-it dhe serbëve, më së paku kanë ndodhur gjëra të mira, gjëra që në fakt është dashur të ketë më së shumti… Për fat të keq, në mars të vitit 2004…ka ndodhur ana më e errët në historinë e Kosovës së re, të gjithë shpresojmë se diçka e tillë nuk do të ndodhë më kurrë… Automjetet e Kombeve të Bashkuara përpiqeshin t’i shpërndajnë protestuesit me bomba të tymit, me automjete që pandërprerë qarkullonin poshtë lartë, njerëzit kaluan në anën e kundërt, pastaj dëgjoheshin krisma. Ajo që ndodhi atëherë në fakt ishte diçka shumë e keqe që kisha parë në Kosovë nga viti 1998…Ka pasur edhe të vrarë, në veri të Mitrovicës kanë pësuar dy serbë, është vrarë gruaja Jana Tuçeva dhe Borivoje Spasojeviq, ka pasur viktima edhe në anën e kundërt tek shqiptarët, kështu që vërtetë të gjithë duhet të punojnë që Kosovës ngjarjet e marsit t’i mos përsëriten kurrë”, tha ai.
Sipas tij, pastaj pason koha e barrikadave të cilat mbinë pothuajse çdo kund në veri të Kosovës, nëpër rrugë, magjistrale dhe në këtë urë.
“Kjo barrikadë e betonit ishte një pengesë e komunikimit normal në mes të veriut dhe jugut kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë, por serbët këtë e panë si formë që në njëfarë mënyre të mbrohen pas përvojës që kishin më 2004…Për fat të keq në Kosovë gjithçka është politikë. Edhe urat janë bërë politikë, edhe lëvizja e lirë, fatkeqësisht jeta është bërë politikë. Unë vërtetë shpresoj dhe besoj se Kosova do të niset nga një rrugë tjetër ku politika nuk do të jetë thjeshtë pjesë e jetës së qytetarëve të Kosovës… Unë jam skeptik se politikanët do t’i bashkojnë serbët dhe shqiptarët. Serbët dhe shqiptarët duhet vetë të bashkohen. Duhet të dinë se e ardhmja është rruga e paqes, prosperitetit dhe integrimi në bashkëjetesë… Fati ka dashur që shqiptarët dhe serbët të jetojnë afër njëri tjetrit, ata duhet të jetojnë, nëse jo së bashku, atëherë pranë njëri tjetrit. Duhet ta kuptojnë se kohët e përleshjeve i takojnë të kaluarës së largët dhe të punojnë në drejtimin që përleshjet në Kosovë të mos ndodhin më kurrë”, sqaroi Tvërdishiq.
Ai nuk foli për ndërprerjen e punimeve tek ura dhe vazhdimin e tyre, por duke u shprehur skeptik për përurimin e urës në maj, tha se megjithatë një gjë e tillë do të ndodhë pas disa muajsh.
Në anën tjetër, analisti nga jugu i qytetit të Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu, thotë se historia e urës mbi lumin Ibër, është në fakt histori e Kosovës e këtyre 17 viteve.
Ai duke rrëfyer për kronologjinë e ngjarjeve që kanë ndodhur në këtë qytet pas luftës, me theks ato në urën kryesore mbi Ibër, ka potencuar se cinizmi më i madh rreth urës u bë me marrëveshjen e Brukselit.
Sipas tij, të gjithë ata që kanë bërë këtë marrëveshje meritojnë epitetin e tradhtarit të kombit.
Spahiu arsyetimin për ndërprerjen e punimeve tek cepi verior i urës nga ana e kryetarit Rakiq, me pretekst të mungesës së sigurisë së qytetarëve atje, e quan absurde dhe banale, ndërsa pranon se qeveria vendore nuk ka autoritet në atë pjesë.
“Historia e urës është në fakt historia e Kosovës e këtyre 17 viteve të pasluftës. Sa ka pasur forca progresive në pushtet janë bërë hapa para, sa ka pasur forca regresive në pushtet janë bërë hapa prapa…Në mëngjes kam shkuar në Prishtinë, i kam lënë këtu demonstratat paqësore dhe kur jam kthyer kam gjetur një tmerr, njerëz të vrarë, të plagosur…Ka qenë një gabim katastrofal i qeverisë së atëhershme, një aventurë, ndoshta me një qëllim të mirë, por sigurisht jo serioze…Ata shfrytëzuan këtë si një pretekst për të bërë barrikadimin të cilin në fakt e kanë bërë që nga paslufta e këndej në një formë ose në një tjetër… Ajo ishte prapë barrikadë e llojit të vet, ishte një cinizëm, mirëpo cinizmi më i madh rreth urës u bë më vonë me marrëveshjen e Brukselit…Jo aspak, aty kanë munguar dy orë punë me buldozerë me largu barrikadën dhe çdo gjë ka qenë shumë më mirë s e sa kjo që është bërë tani. Do të thotë kjo që është bërë tani janë dhënë 1 milion e 200 mijë euro me u ngushtu ura, me u mbyll rruga kryesore për në veri, me u eliminu mundësia e rindërtimit të xhamisë së Ibrit… Nuk ka kurrfarë vendi më aty për xhami, janë ndërtuar shkallët për invalidë me beton të jashtëzakonshëm të cilat edhe sikur të ndërtohet xhami aty, ato ia humbin kuptimin sepse e kanë shëmtuar pamjen…Nuk e di, kur të bëhet presion mbi Rakiqin…nga dikush, kushdoqoftë, qeveria vendore, aleatët tonë të jashtëm, por arsyeja që ka përdorur Rakiqi është absurde, banale”, tha Spahiu.
Ndërsa, për Qeverinë e Kosovës thotë sa nuk ka autoritet për asgjë.
“Kjo qeveri nuk ka autoritet për asgjë, por ishte dashur të ketë, këtu qëndron problemi… Ajo që është bërë në Bruksel meriton, ata që kanë bërë këtë marrëveshje meritojnë epitetin e tradhtarët të kombit…9 maji është veç edhe pas pak ditësh dhe punët që kanë mbetur aty sigurisht se nuk do të mund të kryhen deri në atë datë qysh është paraparë për përurim…Mendoj se do të kryhen atëherë kur Vuçiqi mendon se është e përshtatshme për të, sepse faktorët tjerë nga të cilët do të duhej të varej kryesisht, e që është qeveria e Kosovës, është inekzistente në këtë muhabet”, ka thënë Spahiu.
KosovaPressi ka dërguar pyetjet në adresë të ministrit dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të Zyrës së BE-së, në lidhje me vazhdimin e punimeve mbi urë, si dhe përurimin e këtyre punimeve që ishte paraparë më 9 maj në Ditën e Evropës, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Edhe kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, i cili më 19 prill pati urdhëruar ndërprerjen e punimeve tek ura, ka qenë jo i qasshëm në telefonin e tij për ditë të tëra.