Arbëri

Kurti e lidh fletë-arrestin ndaj tij me seancën për Demarkacion

Deputeti Albin Kurti thotë se lëshimi i urdhër-arrestit ndaj tij është persekutim i gjykatave ndaj lëvizjes Vetëvendosje.

Më 21 prill, Gjykata kishte urdhëruar arrestimin e Kurtit, por deri më tani ai thotë se nuk është penguar nga askush dhe po vazhdon lirshëm me veprimet e tij.

Në një intervistë ekskluzive për KTV-në, urdhër-arrestin për të, Kurti e ka lidhur me afrimin e seancës për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Besoj se fletë-arresti është mënyra se si regjimi e shikon Lëvizjen tonë. Fletë-arresti paraqet syzet e këtij regjimi sa herë që na shikon neve. Kjo është gjendje normale e regjimit karshi Vetëvendosjes. Çështje është kur aktivizohet fletë-arresti. Ka pasur seanca kur nuk ka munguar prokurori, kam munguar unë kur nuk ka pasur fletë-arrest. Këtë herë ka munguar prokurori, dhe gjykatësi lëshoi fletë-arrest për mua. Mua më duket që këto fletë-arreste që aktivizohen kohë pas kohe nuk kanë të bëjnë me seanca gjyqësore sa kanë të bëjnë me seanca parlamentare. Dhe nuk kanë të bëjnë me seancat e të kaluarës, sa kanë të bëjnë me seancat parlamentare e së ardhmes. Në kohën kur është rikthyer tema për Demarkacionin dhe kur paralajmërohet një seancë e mundshme për këtë çështje në përpjekjen e qeverisë për të ringjallur një demarkacion të mbrapshtë, ata shikojnë kë e kanë kundërshtar dhe kush mund t’iu pengojë”, ka thënë Kurti.

Ai thotë se Gjykata po bën persekutim dhe se merr vendime tërësisht të njëanshme. Këtë e ka lidhur me kallëzimin penal që ka bërë për Policinë para 18 muajsh, për të cilin thotë se nuk është interesuar askush.

Kurti thotë se më nuk befasohet nga pushteti aktual për të cilin ka shtuar se është i vendosur që të realizojë me çdo kusht interesat e Serbisë.

“Së pari nuk mund të më befasojnë më. Nuk pres gjëra të mira nga ky regjim. Siç ka thënë Esat Mekuli ‘Gjërat këputen duke u holluar përpos zullumit, zullumi këputet duke u trashur’. Brenga ime është vetëm që këta do të bëjnë gjithçka që të realizojnë interesat e Serbisë, por edhe interesat e tyre të ngushta personale. Nuk është çështje e dorës së tretë që të merrem se çka do të më ndodhë mua konkretisht. Jam i bindur që ky koalicion është shndërruar në një qiri të hollë që po digjet nga të dy skajet dhe këta nuk mund të na befasojnë as për të keq, ndërsa për të mirë s’presim gjë prej tyre”, ka shtuar ai.

Kurti ka ripërsëritur se nuk do t’i përgjigjet thirrjeve të gjykatës.