Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi, javën e ardhshme shqyrton Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare

Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e javës së ardhshme, më saktësisht më 11 maj, do të shqyrtojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit ku u caktua që nesër të ketë seancë të rregullt ku do të diskutohen në fakt pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Po ashtu, Kryesia mori vendim që më 11 maj, të enjten e javës së ardhshme, të ketë seancë të re plenare, ku do të debatohet për një sërë çështjesh.

“Më 11 maj, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, për herë të parë pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen tri projektligje: Projektligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-124, si dhe Projektligji për shoqëritë tregtare”, thuhet në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës, raporton Koha.net.

Seanca pritet të përmbyllet me shqyrtimin e raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për partneritet publiko-privat.

“Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi dhe miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2016, si dhe Kornizën afatmesme të shpenzimeve të Kuvendit, për periudhën 2018-2020, konform rekomandimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Po ashtu, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, bën me dije Kuvendi.

Kurse në seancën e nesërme, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, do të flitet për, si vijon:

“Në seancën e nesërme, Kuvendi do të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, Propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, rekomandimet në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimet në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë”.

“Më pas, në interpelancë do të paraqitet kryeministri Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e shfrytëzimit e thëngjillit dhe minierën e Sibovcit. Më pas, para deputetëve, në një interpelancë tjetër lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike, do të jetë ministri Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues”.

“Dy pikat e fundit të rendit të ditës, do të jenë shqyrtimi i parë i Projektligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, si dhe shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë”, bëri me dije Kuvendi i Kosovës.

Kujtojmë se për çështjen e festave zyrtare ka pasur vërejtje vazhdimisht nga OJQ të ndryshme, por edhe nga ana e vetë deputetëve, kryesisht nga ata të opozitës, të cilët kërkojnë që të zvogëlohet numri i tyre.