Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KOMF: Nëse vërtetohet se profesori ia shurdhoi veshin nxënësit, ai duhet të dënohet deri në 10 vjet burgim

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili përfaqëson njëzet e dy organizata joqeveritare, dënon ashpër aktet e dhunës së vazhdueshme të ushtruara ndaj nxënësve nga ana e mësimdhënësve në Republikën e Kosovës.

KOMF ka kujtuar rastin e ditës së djeshme të publikuar në media ku prezantohet rasti i dhunës së profesorit të shkollës fillore “Fan Noli” në Kamenicë ushtruar ndaj nxënësit gjatë pushimit në mes të orëve mësimore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sipas deklaratës së nxënësit dhe prindit, profesori përmes dhunës, duke goditur nxënësin, i shkakton lëndim trupor duke i dëmtuar organin vital, veshin”, thotë KOMF në reagim.

KOMF ka apeluar tek organet kompetente të marrin urgjentisht masat adekuate bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Dhuna dhe veprimet e tilla të ushtruara nga mësimdhënësit, bien në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës, Rregulloren QRK- nr. 21/2013 për Protokollin për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit para-universitar, Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe rregulloret përkatëse të punës së mësimdhënësve”, thuhet në reagimin e KOMF-it.

Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, ndëshkimi fizik apo çfarëdo forme tjetër e ndëshkimit është i ndaluar në të gjitha institucionet arsimore dhe aftësuese, qofshin ato publike ose private. Gjithashtu Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ka sanksionuar rastet e keqtrajtimit, frikësimit apo fyerjet ndaj fëmijës, dhe kur kjo bëhet nga personi zyrtar duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, personi i tillë rrezikon dënimin me burg nga 6 muaj në 5 vjet. Kur vepra penale kryhet ndaj viktimës së ndjeshme duke i dëmtuar organin vital, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet për veprën penale.

KOMF konsideron se organet kompetente urgjentisht duhet të ndërmarrin masat disiplinore dhe ligjore për rastin në fjalë.


“Nëse veprimet e tilla vërtetohen dhe kualifikohen në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, atëherë duhet të iniciohet menjëherë procedura penale ndaj profesorit i cili ka ushtruar dhunë ndaj nxënësit në fjalë”, deklaron Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.

Po ashtu, KOMF i bën thirrje organeve përgjegjëse për të nisur menjëherë ofrimin e shërbimeve si dhe ndërmarrjen e të gjitha masave me qëllim të rikthimit të nxënësit në procesin mësimor.