E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane Colleen Hyland, gjatë një punëtorie të organizuar për etikën në qeverisje, ka përgëzuar drejtorin e ri të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.
Gjatë fjalës së saj hyrëse, Hyland ka përshëndetur në veçanti drejtorin Berisha.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Do të doja të shfrytëzoja rastin që të falënderoja Doganën e Kosovës dhe Doganën Amerikane si dhe Mbrojtjen Kufitare për bashkëpunimin e tyre të ngushtë për organizimin e kësaj punëtorie. Do të doja që t’i uroja mirëseardhje të ngrohtë Drejtorit të ri të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha”, ka thënë e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane Colleen Hyland, raporton Koha.net.
Në këtë punëtori, Hyland tha se si pjesë e asistencës së Qeverisë amerikane ndaj Kosovës, kanë vendosur të ofrojnë edhe ndihmë teknike për standardizimin e etikës dhe në praktikat më të mira anti-korrupsion.
Tutje, zyrtarja e Ambasadës amerikane ka thënë se dëshiron që drejtori i ri i Doganës të del i suksesshëm.
“Me ndryshimet e fundit në udhëheqësi, Dogana e Kosovës është në një moment shumë të rëndësishëm. Ne presim të shohim vazhdimin e rritjes së të hyrave, dhe që zyrtarët doganorë t’i japin prioritet shërbimit ndaj vendit të tyre e jo përfitimeve personale. Dhe ne presim të shohim llogaridhënie për performancë. Siç kam thënë, ne do t’i kushtojmë shumë vëmendje. Dhe ne do të bëjmë çfarë është e mundur që të nxisim dhe përkrahim suksesin tuaj”, është shprehur Hyland në këtë diskutim.
Ajo tha se trajnimi i sotëm është një mundësi që të mund të arrihen këto synime, “por, në fund të fundit, gjithçka varet nga ju dhe nga vendimet e juaja personale”.
E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane Colleen Hyland, theksoi se janë ndarë shumë të kënaqur me progresin dhe iniciativën e viteve të fundit në Doganë.
Ajo tha se me implementimin e procedurave pa dokumente dhe me vendosjen e kamerave të sigurisë, ka pasur përpjekje të përqendruar për të eliminuar mundësitë për korrupsion. “Këto përpjekje kanë nisur të shpaguhen. Të hyrat më 2015 dhe 2016 kanë tejkaluar parashikimet”.
Edhe perceptimi për korrupsion në Doganë ka rënë drastikisht, tha Hyland, ndërsa theksoi se publiku tashmë e sheh Doganën si një prej institucioneve më të paku të korruptuara, nga ajo më e korruptuara siç e ka parë më herët.
“Ne besojmë në të ardhmen e Kosovës si një anëtar i fuqishëm dhe i vlerësuar i sistemit botëror të tregtisë”, theksoi Hyland.
Në këtë punëtori morën pjesë edhe dy ekspertë amerikanë, zonja Dana Jacob, Prokurore e Lartë në Zyrën e Etikës në Departamentin Amerikan të Tregtisë, si dhe zotëri Edmund Estrada, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Zyrës për Përgjegjësi Profesionale në zyrën e Doganës Amerikane dhe Mbrojtjes Kufitare.
Kujtojmë se Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, u zgjedh në këtë post pas nënshkrimit të memorandumit në mes të Ambasadës së Britanisë së Madhe, Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës për fuqizimin dhe sigurimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për postet e larta.
Për këtë emërim pati reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili memorandumin mes shtetit të Kosovës dhe Ambasadës Britanike e quajti “të jashtëligjshëm”.