Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), përmes një kumtese për medie, kërkon nga institucionet kompetente që të sigurojnë zbatimin e legjislacionit të punës.
Është shumë shqetësuese që edhe 7 vjet pas hyrjes në fuqi , Ligji i punës vazhdon të shkelet në masë të madhe sidomos nga punëdhënësit e sektorit privat, ndërsa zbatimi i marrëveshjes kolektive është suspenduar tërësisht në sektorin privat pas presioneve nga punëdhënësit, transmeton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFakt shqetësues është pajisja e punëmarrësve me kontrata afatshkurtra dhe informaliteti. Mbi 70% e punëmarrësve kanë kontrata afatshkurtra të punës. Sipas anketës së fuqisë punëtore të realizuar nga Agjencia e Statistikave, aktualisht në Kosovë janë të punësuar 350 mijë persona (Burra: 248,224, Gra: 75,284), ndërsa kontribues aktivë në trustin pensional janë 269.900, ose mbi 80,000 punëmarrës nuk kanë kontrata pune. Tek të rinjtë (15-24 vjeç) kjo përqindje është më e lartë, 51.6% e tyre punojnë pa kontratë pune.
Shkeljet më evidente të cilat kanë shoqëruar punëmarrësit gjatë vitit 2016 kanë qenë ndërprerja e kontratës, mos respektimit të orarit të punës, mos kompensimi i orëve shtesë të punës, të ndërrimit të natës, puna gjatë festave, pushimit vjetor, pushimit të lindjes dhe pushimit mjekësor.
Siguria dhe mbrojtja e shëndetit në vendin e punës është brengosëse. Ministria e Punës dhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës në vitin 2015 kishin nisur fushatën vetëdijësuese rreth përmirësimit të kushteve të sigurisë në vendin e punës. Me gjithë këto masa të ndërmarra nga institucionet për zbatimin e ligjit, numri i punëtorëve të cilët kanë gjetur vdekjen në vendin e punës dhe të atyre që kanë pësuar lëndime të rënda trupore mbetet shqetësues. Në vitin 2016, 9 punëmarrës kishin vdekur në vendin e punës, ndërsa 62 kishin pësuar lëndime të rënda ose 13 më shumë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa vetëm 3 janë kompensuar për lëndimët e pësuara në punë . Numri i të lënduarve sipas sindikatave është më i lartë, mirëpo këto raste nuk raportohen për shkak të rrezikut që mund ta humbin vendin e punës.
Në anën tjetër Inspektorati I Punës, si organ që garanton zbatimin e Ligjit të Punës, gjatë vitit 2016 ka realizuar 7285 inspektime, rreth 2 mijë më pak se në vitin 2015. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, deri në fund te vitit 2016, rreth 70 mijë biznese ishin aktive. Inspektorati i Punës ka treguar performancë të dobët, duke inspektuar vetëm 10% të bizneseve aktive.
Mosavancimin e të drejtave të punëtorëve dhe shkeljes së tyre i kontribuojnë edhe organizimi i dobët sindikal, politizimi dhe përçarja e tyre. Në Kosovë aktualisht sindikatat janë të ndara në disa grupime, në BSPK, SBASHK dhe Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e Policisë etj . Këto tre të të fundit para disa viteve ishin ndarë nga BSPK dhe operojnë të pavarura. Në Këshillin Ekonomiko –Social në të cilin diskutohet për dialogun social, është e përfaqësuar vetëm BSPK. Këto sindikata të cilat janë edhe organizimet sindikale kryesore nuk bashkëpunojnë me njëra tjetrën, ndërsa anëtarët e tyre janë pothuajse mbi 90% të punësuar nga sektori publik, indikator ky që tregon se sindikatat në sektorin privat me disa përjashtime janë të papërfillshme dhe jo funksionale.