Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Memaj: Sektori i qumështit në Kosovë, i rrezikuar nga produktet me vaj palme

Ramadan Memaj, kryetar i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka thënë se pas shumë diskutimeve, takimeve, protestave të kohëpaskohshme të akterëve kryesorë të qumështit, gjendja në sektorin e qumështit mbetet shqetësuese.

Ndonëse thotë të janë ofruar shumë argumente të pakundërshtueshme, Memaj thotë se ato nuk mjaftuan për të ndërgjegjësuar institucionet vendore, përgjegjëse për këtë sektor, për të ndryshuar mënyrën e qasjes ndaj problemeve, që në të ardhmen do të shohim që kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë vendin tonë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Problemet në sektorin e qumështit vazhdojnë të mbeten të njëjta për shkak të produkteve me yndyrë bimore kryesisht nga vaji dhe yndyra e palmës. Produktet me yndyrë bimore kryesisht nga vaji dhe yndyra e palmës ka shumë vite që importohen në Kosovë me emra të ndryshëm dhe paketime të ndryshme. Shoqata e Qumështarëve të Kosovës ka evidentuar rreth 50 produkte të tilla nga importi dhe nga prodhues vendor. Edhe pse është premtuar një rregullim i problemeve në deklarim të përmbajtjes së produkteve, gjendja në fakt mbetet pothuajse e pandryshuar, deklarimet vazhdojnë të jenë mashtruese duke vënë në lajthitje konsumatorin kosovar”, ka thënë Memaj në këtë reagim, raporton Koha.net.

Ai thotë se bazuar në raportin e Agjencionit Evropian për Siguri në Ushqim, EFSA ne tashmë ja kemi bërë të njohura opinionit të gjerë pasojat e konsumimit të produkteve të tilla, të cilat ky raport i paraqet si kancerogjen dhe gjenotoksik.

Kreu i SHQK-së, Ramadan Memaj thotë se AUV, si institucioni kryesor përgjegjës për sigurinë ushqimore në Kosovë, duhet të ndërmarrë masa rreth këtyre produkteve.

“Duke pasur parasysh shqetësimet e konsumatorëve, AUV po ashtu duhet të bëj publike edhe importet e produkteve të tjera. Duhet të sigurohet konsumatori kosovar nëse është duke u kontrolluar së pari kualiteti i tyre e pastaj edhe prezenca e tyre eventuale në produktet e qumështit dhe të shuaj konfuzionin e shkaktuar nga akterë të ndryshëm me qëllime të ndryshme. Mundësia për të manipuluar me produktet e qumështit me lloj-lloj metodash sot është më e madhe se kurrë më parë, prandaj nuk është në rregull që barra e përgjegjësisë t’i lihet konsumatorit që ai t’i detektoj produktet me përmbajte të dyshimtë, gjë që është shumë e vështirë, meqë këto produkte nuk janë veçuar nga produktet e qumështit në mënyrë të duhur. Këtë përgjegjësi e ka AUV bashkë me Doganat dhe MTI- në”, ka thënë Memaj, raporton Koha.net.

Tutje, kreu i SHQK-së thotë se imazhi i prodhuesve vendorë së fundmi është sulmuar në të gjitha anët dhe, duke i shtuar kësaj edhe importet e dyshimta, Memaj thotë se ekzistenca e tyre vihet në rrezik.

“Prodhuesit e qumështit gjithashtu janë të brengosur për shitjen e produktit të tyre, pikërisht për shkak të produkteve me yndyrë bimore që e kanë kapluar tregun. Ne kemi tërhequr vërejtjen disa herë për këtë, ndërsa kemi gjithnjë e më shumë informacione brengosëse nga disa pika grumbulluese dhe nga vetë fermerët që po kanë problem me shitjen e qumështit të tyre. Gjendja mund të vazhdoj të rëndohet gjatë muajve në vazhdim, sepse për shkak të sezonit veror rritet sasia e qumështit të papërpunuar”, thotë Memaj.

Ai thotë se mbijetesa e qumështarëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa zhvillimi i industrisë së qumështit në kushtet e një konkurrence të tillë është i pamundur.

Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës thotë se zgjidhja është tek masat shtetërore të mirëfillta të cilat janë plotësisht të mundura dhe të ligjshme, madje për më tepër janë obligative parasëgjithash për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve e mandej për të ndikuar në zhvillimin e sektorit.

“Në këtë aspekt të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre, duke përfshi partitë politike dhe shoqërinë civile. Ne jemi të rrezikuar të përfundojmë sikur disa vende të rajonit, ku pikërisht për shkak të konkurrencës së padrejtë nga produktet me vaj palme, pothuajse nuk ekzistojnë fermerë e as produkte nga qumështi”, ka përfunduar kryetari i SHQK-së, Ramadan Memaj.