Sot mbushen shtatëmbëdhjetë vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast, ka kujtuar rënien e Kodrës, të cilin e quajti shembull të lirisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Tetëmbëdhjetë vjet më parë, në krye të Brigadës 114 "Fehmi Lladrovci" të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ra heroikisht komandanti Ilaz Kodra. Rënia e tij vërtetoi karakterin e thellë popullor të luftës sonë çlirimtare, në të cilën shumë komandantë saj u flijuan, duke u bërë shembull i trimërisë, vendosmërisë dhe qëndresës”, ka shkruar Thaçi në Facebook, raporton Koha.net.
Ilaz Ismajl Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni, shkruan kp.
Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’ u armatosur. Atje, me dijeninë e kryetarit Ramiz Alia ishte caktuar një grup oficerësh shqiptarë: Ylli Mici, Hysen Imeri, Agron Dhimarko e të tjerë, të cilët morën pjesë në stërvitjen e tyre ushtarake, meqë ata ishin përcaktuar për luftë të armatosur kundër pushtuesit dhe jo për politikën pacifiste të pritjes dhe durimit deri në skllavëri e nënshtrim.
Stërvitja e Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, Ilaz Kodrës, Zahir Pajazitit dhe shumë të tjerëve, edhe pse ishte mbajtur top sekret shtetëror, qysh gjatë asaj kohe e kishte zbuluar shërbimi sekret serb, përmes informatorëve të veta në Tiranë, në mërgatë dhe në Kosovë.
Në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të datës 4.10.1996, lidhur me ndjekjen që kishte filluar kundër Adem Jasharit, Ilaz Kodrës, Besim Ramës, Avni Nurës, Jakup Nurës, Fadil Kodrës, Nuredin Lushtakut, Rafet Ramës, Sami Lushtakut, Rexhep Selimit, Hashim Thaçit, Sahit Jasharit, Zenun Kodrës, Ali Januzit dhe Idriz Asllanit, thuhet se të gjithë këta akuzohen se “në gjysmën e dytë të vitit 1992, pas qëndrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, ku së bashku, ushtarakisht janë stërvitur me pjesëtarët e armatës shqiptare nën komandën e eprorëve të tyre”.
“Në territorin e komunës së Skenderajt kanë formuar grupin ‘terrorist armiqësor’ dhe së bashku me shumë persona ende të paidentifikuar janë bërë anëtarë të të njëjtit grup, kanë filluar armatosjen e grupit dhe për këtë qëllim kanë siguruar sasi të madhe të armëve, municionit dhe të mjeteve eksplozive, pushkë, automatikë, pushkë me snajper, revolverë, bomba dore, mina, trombllonë dhe pajisje të ndryshme ushtarake”.
“Prej tyre një pjesë e kanë sjellë nga Republika e Shqipërisë, pastaj rregullisht, nga gjysma e dytë e vitit 1992 e deri në fund të shtatorit të vitit 1976, në mal, në afërsi të fshatit Prekaz i Ulët, kanë stërvitur shkathtësitë ushtarake, përdorimin e armëve të zjarrit, rregullisht kanë stërvitur në gjuajtjen e tyre në shenjë, kanë mbajtur mbledhje ilegale, më së shpeshti në Prekazin e Ulët, në të cilat mbledhje janë marrë vesh dhe kanë planifikuar kryerjen e aksioneve të armatosura në territorin e komunës së Gllogovcit, Pejës, Vuçitërnës dhe Mitrovicës dhe pas këtyre përgatitjeve të bëra me qëllim të rrezikimit të rregullimit kushtetues dhe sigurimit të RFJ kanë ndërmarrë aktet e dhunës në territoret e këtyre komunave”.
“Sipas marrëveshjes paraprake, në të njëjtën kohë dhe në bashkëveprim me grupet e tjera terroriste, të cilat këto akte në mënyrë të vazhdueshme i kanë kryer në territorin e Kosovës, me ç’rast me dashje kanë privuar nga jeta 4 persona dhe kanë tentuar që t’i privojnë edhe 16-të persona të tjerë, me çka te qytetarët kanë krijuar ndjenjën e pasigurisë”.