Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protestuesit në tenda para Kuvendit të Maqedonisë, Ivanov thirrje për dialog

Në mesnatën mes së enjtes dhe të premtes, njësitet speciale të policisë së Maqedonisë kanë arritur të largojnë nga godina e Parlamentit, protestuesit maqedonas të cilët u futën me dhunë brenda, me ç`rast kanë sulmuar fizikisht deputetët e shumicës së re parlamentare.

Qindra qytetarë maqedonas nën organizim të Iniciativës “për Maqedoni të përbashkët”, të enjten pak pas orës 18:00 u futën me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë pasi paraprakisht shumica e re parlamentare e përbërë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja për Reforma, në një situatë të tensionuar zgjodhën Talat Xhaferin për kryetar të ri të Parlamentit të Maqedonisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dikasteri i policisë ka bërë të ditur se gjatë natës së enjte ka ndaluar disa protestues të cilët kanë ushtruar dhunë në parlamentin e Maqedonisë duke nënvizuar se gjatë ditës së premte, do të informojnë për numrin e saktë të personave të ndaluar.

Nga ky dikaster gjithashtu kanë bërë të ditur se janë evakuar të gjithë deputetët dhe gazetarët të cilët mbetën të ngujuar pas hyrjes me dhunë të protestuesve, të cilët më pas janë dërguar në Spitalin e Qytetit ku kanë marrë dhe ndihmën e parë mjekësore.

Protestuesit përkrahës të VMRO DPMNE-së i kanë shkaktuar lëndime serioze trupore liderit të Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, liderit Social Demokrat, Zoran Zaev ndërkohë që e kanë tërhequr zvarrë dhe deputeten e LSDM-së Radmilla Shekerinska.

Nga partia e Zijadin Selës, Arben Taravari për Radion Evropa e Lirë ka thënë se zoti Sela mbetet nën përkujdesjen intensive të mjekëve përderisa gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Dikasteri i policisë përmes një komunikate për mediat ka bërë të ditur se mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Qytetit që ndodhet përballë Kuvendit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë.

Gjithashtu, në kazermën në Gjorqe Petrov, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 7 qytetarë të tjerë.

Policia ka përdorur bomba ç'orientuese për t'i larguar protestuesit nga godina e parlamentit.

Pas kësaj, një pjesë e protestuesve vendosën tenda para godinës së parlamentit për ta kaluar aty natën, siç kanë thënë, në mbrojtje të Parlamentit të Maqedonisë.

Kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se grusht-shtet ka bërë VMRO DPMNE duke i mbajtur të uzurpuara institucionet.

“S'do mend se populli nuk mund të jetë puçist. Puçist janë ata të cilët për aq kohë të gjatë i kanë uzurpuar institucionet dhe nuk lejonjnë të konsolidohen organet e parlamentit”, ka theksuar kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi.

Edhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga Zoran Zaevi përmes një komunikate për mediat në mbrëmjen e së enjtes u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos t'u përgjigjen provokimeve dhe skenarëve të ndryshme të dhunshme.

“Në momentet kur një nga sfidat më të mëdha në historinë e Maqedonisë, në dhunë të përgjakshme e nxitur nga regjimi në shpërbërje i Nikolla Gruevkit, LSDM bën thirrje për t'u përmbajtur në mënyrë maksimale nga çdo qytetar pa dallime. Bëjmë thirrje që të qëndroni të qetë dhe të mos bini pre e skenarëve të dhunshme dhe provokimeve të Nikolla Gruevskit dhe grupit të tij të ngushtë kriminal”.

“Regjimi nuk do të mund t'i ndalojë më proceset demokratike. Shumica parlamentare tani do të realizojë vullnetin e qytetarëve për një Maqedoni demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, theksohet në komunikatën për media të LSDM-së.

Edhe partitë politike shqiptare i kanë bërë thirrje popullatës që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bëhen pre e provokimeve.

BE dhe SHBA e kanë përshëndetur zgjedhjen e kryetarit të parlamentit ndërkohë kanë dënuar ashpër dhunën.

Zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetarit të ri të Kuvendit e kanë përshëndetur faktori ndërkombëtar, duke e dënuar ashpër dhunën e ushtruar në Parlamentin e Maqedonisë nga ana e përkrahësve të VMRO DPMNE-së.