Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili i ka dërguar letër BE-së, ku ka kërkuar monitorimin e zgjedhjeve komunale, thotë se e ndjen obligim kushtetues, ligjor dhe politik që t’i ftojë vëzhguesit evropianë për këto zgjedhje.
Ai thotë se kjo është ftesë në kohën e duhur, ndërsa sa i përket mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Thaçi thotë se kjo mbetet në vullnetin e partive politike dhe se ai do të respektojë marrëveshjet politike dhe do të jetë në krye të obligimeve të tij si president i vendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Unë si president i vendit punoj sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas opinioneve ditore apo politikave të partive politike, e çfarëdo partie politike qoftë. Prandaj, e ndjej obligim kushtetues, ligjor dhe politik, që të ftoj vëzhguesit evropianë për zgjedhjet e ardhshme lokale. Është një ftesë në kohë të duhur që dhe autoritetet e BE-së dhe gjithë mekanizimi tjetër mbështetës, të përgatitet për këtë proces të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Ndërsa sa i përket çështjeve tjera, mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, unë respektoj Kushtetutën e vendit, mandatin e plotë të kushtetuesve ligjor. Është në vullnetin e partive politike, nëse duan zgjedhje të parakohshme, unë do të respektoj marrëveshjen e partive politike dhe natyrisht se do të jem në krye të obligimeve të mia kushtetuese”, tha ai, raporton KP.
Presidenti i Kosovës tha se Kosova duhet të lëvizë përpara më shpejt dhe më mirë, drejt konsolidimit të shtetit, forcimit të ekonomisë dhe perspektivës euroatlantike.
“E potencova sa i përket qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit janë partitë politike që përbëjnë koalicionin. Ato që marrin qëndrime dhe zotime, por dhe përgjegjësi dhe që e bëjnë vlerësimin e punës dhe jo unë si president i vendit. Unë si president i vendit theksoj se Kosova duhet të lëvizë më shpejt, më mirë dhe në mënyrë efikase drejt konsolidimit të shtetit, forcimit të ekonomisë dhe perspektivës euroatlantike”, tha ai.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, thotë se KQZ e përkrahë letrën që presidenti i ka dërguar BE-së për monitorimin e zgjedhjeve, sepse kjo i jep mundësi KQZ-së që të tregojë se organizon zgjedhje sipas standardeve evropiane.
“Jo vetëm që është e nevojshme, por ajo tregon që BE është e përkushtuar që në Kosovë të ketë zgjedhje të organizuara sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo edhe neve si KQZ na jep atë mundësi që të tregojmë se i organizojmë me standarde ndërkombëtare. Natyrisht që është shumë për ta përkrahë këtë letër, të cilën e ka dërguar presidenti. Ne si KQZ do të kemi takim me misionin vëzhgues, i cili do të jetë në Kosovë. Më datën 2 maj ne presim që të takohemi me krerët e këtij misioni dhe aty do të diskutojmë për modalitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve lokale”, ka thënë Daka.
Daka thotë se KQZ do të organizojë zgjedhjet e jashtëzakonshme, në momentin kur ato shpallen nga presidenti i vendit, përkundër sfidave në të cilat ata hasin gjithmonë, kur bëhen organizime të zgjedhjeve për afate të shkurtra.
“KQZ nuk e ka në diskutim që të vendosë a do t’i organizojë apo jo. KQZ e ka obligim kushtetues. Dhe me siguri që do t’i organizojë zgjedhjet, atëherë kur ato shpallen nga presidenti i Republikës. Nuk na mbetet me zgjedh, a duam apo jo. Ne do t’i organizojmë, natyrisht se do të ketë sfida, sepse gjithmonë organizimi në afate të shkurta sjell me vete dhe mundësi të gabimeve. Por ne e kemi obligim kushtetues”, tha ajo.