Pak orë pas raportimit të Koha.net, QKUK ka konfirmuar se ish-kryeministri Bajram Rexhepi do të vazhdojë rehabilitimin në Turqi.
Ish-kryeministri ditë më parë pësoi dy sulme në tru dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, edhe pse iu nënshtrua një operacioni për të cilin QKUK kishte thënë se s’ka pasur komplikime.
QKUK ka konfirmuar për KTV-në se është konstatuar se Rexhepi ka nevojë për rehabilitim në një institucion të specializuar jashtë vendit dhe me përkrahjen e shtetit turk, Rexhepi është nisur drejt Turqisë për të nisur fazën e rehabilitimit.
“Komisioni konsiliar në takimet e vazhdueshme që ka mbajtur lidhur me gjendjen shëndetësore të ish-kryeministrit, ka konstatuar se atij i nevojitet të fillojë fazën e rehabilitimit në një institucion të specializuar jashtë vendit. Institucionet e Republikës së Kosovës, përkrahur nga Ambasada Turke në Kosovë dhe shteti turk, pas rekomandimit të konsiliumit, ka udhëhequr të gjitha procedurat ligjore në fuqi. Z. Rexhepi është nisur për Turqi, ku pritet të vazhdojë me fazën e rehabilitimit mjekësor, në mungesë të një institucioni të specializuar në Kosovë”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.