Gjatë takimit me kancelarin austriak Christian Kern në 17 shkurt, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq i është rikthyer idesë së tij të krijimit të një zone të përbashkët të tregtisë së lirë në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria serbe vetëm tani e bëri të ditur se çfarë kanë diskutuar mes tyre dy liderët javën që shkoi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë arsyetimin e Vuçiqit, shtetet e rajonit përballen me të njëjtat sfida: ekonomitë të dobësuara, periudha të tejzgjatura tranzicioni, ndërsa objektivat i kanë dhe ato pothuajse njësoj siç është dëshira për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ballkani vazhdon të mbetet një zonë tensionesh të vazhdueshme, të ushqyera nga kujtime të reja konfliktesh të vjetra dhe shpërthimi i ndjenjave nacionaliste. Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi konsiderohen të një rëndësie kyçe për stabilitetin e një rajoni të parë gjerësisht burim potencial problemesh për pjesën tjetër të Evropës.
Në këndvështrimin e Vuçiqit, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë tepër të vogla ose të pafuqishme të zhvillohen ekonomikisht pa partneritetin me fqinjët. Mbi këtë argument mbështetet dhe propozimi i tij për një union të përbashkët doganor, qëllimi i të cilit do të jetë afrimi i vendeve dhe territoreve të Ballkanit perëndimor dhe lehtësimi i kalimit të mallrave.
“Unë kam pasur tashmë konsultime me drejtuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës Denis Zvizdiq, me kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe do të vazhdoj të flas edhe me të tjerët”, është shprehur kreu i ekzekutivit serb. “Sa më shumë të pasurohemi si shtete, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne”, shtoi ai duke kujtuar gjithmonë se kjo ishte një iniciativë personale.
Kancelari austriak e ka mirëpritur idenë. Plani ka të bëjë me projekte të infrastrukturës dhe lidh njerëzit në mbarë rajonin. “Krijimi i një unioni duty-free më duket një mënyrë pozitive për të përmirësuar situatën në Ballkan”, ka qenë komenti i tij.
Iniciativat e integrimit rajonal vazhdojnë të mbeten relativisht të rralla, pavarësisht shtimit të përpjekjeve për bashkëpunim ndërkufitar.
Ndaj kësaj ideje ka reaguar edhe deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, i cili thotë se në kushte normale, secili propozim për avashmin e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve dhe në kuadër të rajoneve të caktuara, do të ishte i mirëseardhur.
Mirëpo, siç thotë ai, secili propozim i një natyre të tillë mund të ketë sukses vetëm nëse bartësi dhe iniciatori ka kredibilitet që do ta mbështeste atë propozim.
“E kredibiliteti i Vuçiqit për një propozim të tillë është shumë i diskutueshëm. Serbia, përkatësisht qeveria e saj, ende nuk është akomoduar me realitet e reja në Ballkan, duke vazhduar që këto realitete t’i kundrojë me një doptri të viteve 90’ të shekullit të kaluar. Për këtë shkak, Serbia ka problem në marrëdhëniet thuaja me të gjithë fqinjët, ndaj para se të bëjë propozime të kësaj natyre, duhet të ndryshojë qasjen dhe të promovojë marrëdhënie fqinjësore të barabarta dhe mirëkuptimi me fqinjët”, ka thënë Mustafa në reagimin e tij, raporton Koha.net.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa thotë më tej se Serbia, përkatësisht qeveria e saj, ende po pengon zhvillimet normale të marrëdhënieve ekonomike me Kosovën ndërsa thotë se ajo po pengon marrëdhëniet tregtare dhe këmbimin e mallrave dhe lëvizjen e lirë.
“Eksporti i Serbisë në Kosovë është afro 400 milionë Euro, kurse eksporti i Kosovës në Serbi rreth 15 milionë Euro. Eksporti i Kosovës në Shqipëri është rreth 40 milionë Euro, e në kundërshtim me këtë situatë, tregu i Serbisë ka potencial më të madh se sa ai i Shqipërisë 3-4 herë, që do të thotë se Kosova në kushtet e tregtisë së lirë do të duhej të eksportonte në Serbi 3-5 herë më shumë se sa eksporton tash. E, kjo nuk po ndodhë për shkak të shumë barrierave të dukshme dhe të padukshme që bën qeveria serbe. Qeveria e Serbisë po pengon ka disa vite, bile edhe tash pas nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse në bisedimet e Brukselit, anëtarësimin e KOSTT në asociacionin e operatorëve të sistemeve elektroenergjetike ETNOS-E”, thekson deputeti Mustafa.
Sipas tij, e tërë kjo gjendje po ndikon në humbjen e dhjetëra miliona Eurove tek operatori i KOSTT dhe operatorit të Shqipërisë.
“Investimi në Intekonjekcionin 400 KV midis Kosovës dhe Shqipërisë për këtë shkak nuk mund të vihet në përdorim të plotë. Këta janë vetëm dy shembuj se pse Serbisë dhe vetë Vuçiqit i mungon kredibiliteti për propozime të tilla të avancuara. Ndaj Kosova, pa humbur kohë me blofe të tilla si ky i Vuçiqit, duhet të zhvillojë dhe avancojë marrëdhëniet ekonomike me fqinjët e vet, para së gjithash të krijojë union doganor me Shqipërinë. Me Serbinë Kosova duhet të aktivizojë instrumente të mbrojtjes së interesave ekonomike mbi parimet e reciprocitetit dhe masa të tjera”, ka theksuar Mustafa.