Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Dy gjëra s’i negocioj me PD-në, datën e zgjedhjeve dhe mandatin

Kryeministri i vendit, Edi Rama në fjalën e tij nga foltorja e kuvendit u shpreh edhe një herë se qeveria ka qenë dhe është e hapur për dialog me opozitën në mënyrë që t’i jepet fund bojkotit prej saj të institucioneve të vendit, ndërsa shtoi se për 2 gjëra PS nuk do të negociojë me PD; kushtetutën dhe mandatin qeverisës që kjo forcë politike e mori nga populli.

“Dua të kthehem edhe sot aktualitetit politike se besoj që çdo ditë është e rëndësishme për të vazhduar përpjekjet deri në fund për dialog dhe për të hapur rrugën e arsye tek lidhja e shkëputur mes PD, disa partive rreth saj dhe sistemit tonë demokratik. Nuk ka asnjë diskutimi për ne dhe s’ka pasur kurrë mbi çka ne nuk negociojmë: nuk negociojmë Kushtetutën, që sanksionon të drejtën e popullit për të zgjedhur dhe i detyron partitë të paraqiten në datën e caktuar për t’u ofruar platformat e tyre; nuk negociojmë mandatin që na ka dhënë populli dhe nuk abuzojmë me kontratën që skadon në ditën e krijimit të qeverisë së re. Të gjitha përpjekjet për të goditur qeverinë dhe 18 qershorin janë përpjekje për të goditur stabilitetin e vendit, për të marrë peng integrimin dhe për ta futur vendin në një situatë të paqartë. Dua të siguroj qytetarët se asgjë nuk do të ndodhë tjetër veç asaj që detyron kushtetuta, që partitë të paraqiten para tyre me ofertat që gjykohen prej tyre”, tha Rama.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rama u shpreh se qeveria ka e angazhuar për të bërë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe e hapur për çdo kërkesë nga opozita për ndryshime në ligjin e zgjedhjeve që sipas tij mund t’i lehtësonte ata psikologjikisht.

“Nga ana tjetër ne jemi angazhuar që në fillim për të bërë një reformë zgjedhore shteruese në bashkëpunim me OSBE/ODIHR dhe kemi qenë e mbetemi të hapur për çdo ndryshim në ligjin e zgjedhjeve që mund të lehtësojë psikologjikisht PD dhe mund të hapi rrugën për të hyrë të gjithë në zgjedhje para shqiptarëve”, tha Rama.

Në lidhje me letrën e koalicionit PS-LSI drejtuar KQZ-së për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve, kreu i qeverisë tha se kjo letër, “e dërguar si koalicion në KQZ, nuk synon të detyrojë KQZ-në të marrë një vendim unilateral për të prekur afatet zgjedhore, por synon vetëm të shprehë vullnetin e mirë të koalicionit që deri në fund t’i japim mundësi PD-së që të hyjë në zgjedhje”.

“Nuk kishim asnjë motiv që të regjistronim koalicionin duke i mbyllur rrugën PD-së. Jemi këtu për të konfirmuar atë që kemi shprehur vazhdimisht: nuk jemi parti, por koalicion. Ata që kanë shpresuar që të godasin koalicionin, janë zhgënjyer. Nuk është aks strategjik për karrige, por për reforma. Nëse në këtë proces ka pasur qasje të ndryshme, kjo nuk ka nënkuptuar për asnjë sekondë ndonjë lëvizje nga marrëdhënia kontraktuale me 1 milion njerëz që na kanë votuar, por ka qenë shprehje e dy opinioneve të ndryshme me si mund të lehtësohet rruga e zgjidhjes për të nxjerrë PD-në nga një qorrsokak ku është futur vetë”, tha Rama.