Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxha: Rishikimi funksional është shtytje për efikasitetin e institucioneve të Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, drejtoi takimin fillestar për Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, ku të pranishëm ishin, kryeministri, Isa Mustafa, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, përfaqësuesja speciale e Bashkimit Evropian, Apostolova, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delawie, si dhe anëtarë të Komitetit Drejtues për Rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Hoxha theksoi se nevoja për një rishikim të tillë është ngritur dhe diskutuar gjatë, por tani ka ardhur koha që të veprohet në këtë drejtim, transmeton Koha.net. Rishikimi funksional do të përqendrohet në tri fusha, të cilat shihen si problematike për një sistem të sundimit të ligjit që është efikas, transparent dhe llogaridhënës, në shërbim të qytetarit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Fillimisht kemi të bëjmë me strategjinë sektoriale që prek fushën e sundimit të ligjit. Kemi numër të madh ligjesh, por ka kritika të shumta që ato nuk janë në përputhje me njëri-tjetrin, dhe që kanë kundërthënie mes veti, gjë që e bën të vështirë, nganjëherë edhe të pamundur zbatimin e drejtë të tyre”, ka thënë Hoxha.

Fusha e dytë, thotë Hoxha, është shqyrtimi i nivelit të transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, ndërsa fusha e tretë është shqyrtimi i nivelit të bashkëpunimit dhe komunikimit midis institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit, ku përfshihen Ministria e Punëve të Brendshme, Policia, Doganat, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe Ministria e Financave.

Sipas saj rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit është shtytje për transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e institucioneve të Drejtësisë, në funksion të agjendës euro-integruese dhe pa një bashkëpunim e komunikim të mirëfilltë midis institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit nuk mund të ketë sundim efikas të ligjit.