Arbëri

Mustafa: Ushtrinë do ta bëjmë kur të vendosim ne, e jo kur të vendos Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në Rubikon të KTV-së, ka folur për çështjen e themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

Mustafa tha se për këtë çështje kanë nisur bisedimet me tashmë presidentin Thaçi qysh në kohën kur ky i fundit ka qenë zëvendës i tij.

“Edhe sa ka qenë Presidenti Thaçi zv/kryeministër, kemi biseduar shumë për çështjen e Ushtrisë. Kemi biseduar edhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit Amerikan. E kemi bërë të qartë që nuk mund të presim pakufi që kjo çështje të zgjidhet”, ka thënë Mustafa.

Ai bëri me dije se për këtë çështje, bisedimet me ministrat dhe përfaqësuesit serbë i kanë nisur në fillim të vitit 2016.

“E kemi diskutuar disa herë në zyrën time me ministrat serbë dhe me përfaqësues të serbëve. Kanë kërkuar që t’i kenë të gjitha informatat - Ligjin, Kushtetutën, formën e Ushtrisë... Kjo ka ndodhur në pjesën e parë të vitit të kaluar, dhe kemi pritur që ata të reflektojmë. Ministri i FSK-së ka qenë i angazhuar që të diskutojë me ta. Mirëpo, më vonë nuk kanë shprehur gatishmëri që të ulen e të bisedojnë. Në kontaktet private me ta, më kanë thënë se janë të kushtëzuar dhe nuk mund të marrin vendime vetë. Më kanë thënë se vendimet na imponohen nga Beogradi”, ka theksuar kryeministri i vendit.

Kreu i ekzekutivit shtoi se Ministria e FSK-së ka punuar edhe në formën që Ushtria të formohet përmes ndryshimit të ligjit, që nënkupton të mos i ndryshohet emri, por vetëm mandati.

Mirëpo, NATO dhe SHBA kanë kundërshtuar ndryshimin e mandatit aktual të FSK-së.

“Kjo çështje duhet të bëhet në partneritet me ndërkombëtarët, por ne e kemi një problem real me serbët, të cilët janë të ndikuar nga Beogradi. Por ne duhet ta bëjmë ushtrinë, jo kur të vendos Beogradi, por kur të vendosim ne”, theksoi Mustafa.

Sipas tij, Presidenti ka të drejtë të ndërmerr iniciativa, gjë të cilën ia mundëson Kushtetuta, ndonëse thotë se kundërshtimin për themelimin e Ushtrisë përmes ndryshimit të Ligjit nga partnerët ndërkombëtarë e kanë ditur edhe më parë.

Megjithatë, ai tha se nuk i takon të flasë për hapat, qofshin ata të gabuar, të ngutshëm apo jo, të Presidentit në raport me formimin e Ushtrisë, ndërsa nuk deshi të jap vlerësimin e tij nëse ky veprim ka qenë i mirë apo i keq nga ana e presidentit Thaçi.

“Jam i bindur se Ushtrinë do ta kemi gjatë këtij viti”, tha kreu i ekzekutivit.