Arbëri

Krasniqi mohon që grantet për bujqësi shkojnë në komunat që udhëheq PDK

Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka mohuar se grantet që ndan Ministria që drejton ai shkojnë më së shumti në komunat që udhëhiqen nga partia prej nga ai vjen.

Nënkryetari i PDK-së, në “Puls” të KTV-së nuk ka folur me shifra të parave, por ka preferuar të flasë me numër të projekteve të fituara. Në këtë listë ka thënë se prin Rahoveci, e cila po ashtu për kryetar ka Idriz Vehapin e PDK-së.

Por Krasniqi ka thënë se Prishtina - që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti Vetëvendosje - ka marrë 53 projekte, Istogu - që për kryetar ka nënkryetarin e LDK-së, Haki Rugova – 38 projekte, e kështu me radhë.

“Është budallallëk të mendohet se projektet ndahen për komuna ku qeverisë një parti. Projektet ndahen për bujqit”, ka thënë Krasniqi.

Po në “Puls” të KTV-së, Krasniqi ka komentuar edhe raportin e OJQ-së “Preporter” për Ministrinë e Bujqësisë. Ka thënë se me këtë raport, kjo organizatë “ja ka futur kot”.

“Për shembull, për vitin e kaluar ka pasur vonesa në pagesat e bujqve, sepse kam kërkuar kontrolla në teren dhe ne nuk kemi personel të mjaftueshëm tek pagesat për të kryer këtë punë”, ka thënë Krasniqi, teksa ka premtuar se vitin e ardhshëm pagesat do të kryhen më herët.


Krasniqi mohon që grantet për bujqësi shkojnë... by kohanet