Duke i përshëndetur porositë dhe vizitat e sotme, të senatorin amerikan dhe ministrit të jashtëm gjerman, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu siguron që demarkacioni nuk do të marrë votat e nevojshme për të kaluar.
Deputetja e AAK-së mbetet e bindur se kurdo që demarkacioni të dërgohet në Kuvend, ajo nuk do të kalojë.
“Kurdo që të vjen në Kuvend, do ta marrë votën kundër dhe në numër të madh të deputetëve. Qeveria e ka punë të vetën, le ta sjellin kur të donë”, ka thënë Haxhiu.
“Asnjëherë nuk ishte një Qeveri e hapur që në fillim”.
E përball saj, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati thotë se nuk do të ishte mirë që demarkacioni të shkonte në Kuvend derisa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk është ende i lirë.
Ferati bën thirrje që liderët e të gjitha subjekteve të ulen e të bisedojnë për një konsensus të mundshëm.
“Nëse kjo është një motiv atëherë duhet të pritet që të lirohet z. Haradinaj. Nëse kemi humb sa kemi humb, hajde të presim edhe dy javë, në mënyrë që edhe ta ndajmë gëzimin për lirim e tij edhe të jetë edhe ai njëri prej akterëve. Dëshira ime është që liderët të ulen edhe një herë, larg është nesër”, ka thënë ai.
Deputeti i LVV-së, Mytaher Haskuka për zgjidhje të ngërçit politik që ka krijuar marrëveshja e demarkacionit propozon referendum.
Këtë nuk e përkrah ai i LDK-së, Sadriu Ferati i cili thotë se referendumi është kryer kur kanë votuar qytetarët dhe kësisoj deputetët duhet të jenë në gjendje të çojnë përpara temat e mëdha me të cilat po përballen.