Arbëri

Mustafa: Po i paguajmë skandalet e së kaluarës

Dega e Lidhja Demokratike të Kosovës në Shtime ka shënuar sot 27-vjetorin e themelimit.

Në manifestimin e organizuar me këtë rast, ku ishin prezent qytetarë dhe aktivistë të shumtë të LDK-së, të pranishmit i përshëndeti kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës, Akademik Isa Mustafa dhe kryetari i Degës, Selim Shabani.

Mustafa, pasi falënderoi shtimjanët për mbështetjen e tyre ndaj LDK-së, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që Komuna e Shtimes të zhvillohet duke shprehur edhe angazhimin që LDK në Shtime ta merr përgjegjësinë për këtë Komunë ashtu si edhe për komunat tjera të Kosovës, duke respektuar vullnetin e qytetarëve dhe duke punuar me këtë vullnet të qytetarëve.

Më tej, kryetari Mustafa shprehu vendosmërinë e plotë të Qeverisë së Kosovës për t’i çuar proceset përpara, për t‘i përmbushur detyrat e saj dhe për të mos e lënë punën në gjysmë.

Kryeministri foli për, siç tha ai, “kontributin e madh që ka dhënë kjo Qeveri sidomos sa i përket zhvillimit ekonomik, duke përmbushur të gjitha kriteret që BE i ka kërkuar prej Kosovës, duke nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, duke arritur rritjen më të madhe ekonomike që ka pasur ky vend dhe më të madhe se çdo shtet fqinjë, duke mos qenë Qeveri e korruptuar dhe pa asnjë skandal në Qeveri”.

Mustafa tha po ashtu se Qeveria që ai drejton tani “po i paguan skandalet që kanë ndodhur më përpara” por se, sipas tij, për këtë duhet drejtësia ta jap verdiktin e vet.

“Andaj, unë sot para jush deklaroj se ne do të punojmë, jemi të përcaktuar të punojmë, jemi të përcaktuar të vihemi në shërbim të vendit për aq sa mundemi dhe aq dimë. Kërkojmë përkrahje edhe në nivel lokal, edhe në nivel qendror. Kërkojmë gjithmonë vërejtjet, kritikat dhe sugjerimet e juaja”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke shprehur vendosmërinë që LDK të Qeverisë në përputhje me interesat e qytetarëve.

Prandaj, në këtë rrugë, kryetari Mustafa tha se LDK-ja do të vazhdojë punën e saj.

“Jam shumë i bindur se në qeverisjen lokale do të arrijmë suksese shumë më të mëdha sesa kemi pasur përpara dhe jam shumë i bindur se të gjitha udhëheqësitë tona në të gjitha nivelet do të tregohen të përgjegjshëm para vendit, para ligjit dhe para qytetarëve”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Kryetari i Degës së LDK-së në Shtime, Selim Shabani, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se Dega e LDK-së në Shtime është e motivuar më tepër se asnjëherë më parë duke folur për aktivitetet e shumta që po zhvillohen në këtë Degë, në të gjitha nivelet e organizmit.

Kryetari Shabani tha se qytetarët e Komunës së Shtimes po përballen me një gjendje të rënde ekonomike duke kritikuar qeverisjen komunale dhe duke theksuar se kjo mënyrë e qeverisjes ka ndikuar që qytetarët e Shtimes ta humbin besimin.