Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hap dyert në Tiranë Panairi i parë Mesdhetar i Turizmit - merr pjesë edhe Kosova

Në Tiranë është hapur Panairi i Parë Mesdhetar i Turizmit, në Expocity, i cili synon ta fusë Shqipërinë në kalendarin ndërkombëtar të panaireve, si dhe të jetë një pikë takimi i një rëndësie rajonale mes subjekteve që operojnë në këtë sektor.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, e cila në mënyrë simbolike preu dhe shiritin e këtij panairi të parë, duke uruar që ai të bëhet i përvitshëm dhe të sjellë një vlerë të shtuar në turizmin shqiptar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këtë panair janë 72 stenda dhe rreth 120 subjekte, ku risi është prezantimi i secilës Bashki të vendit, që nga Malësia e Madh e deri në Sarandë.

Produktet e paraqitura në këtë panair janë nga më të larmishmet, që nga paketat turistike, produktet e kulinarisë, kostumografisë, punimeve artizanale e gjithçka tjetër të bukur dhe me vlerë që ka Shqipëria.

Gjithashtu, në panair po marrin pjesë agjenci turistike nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, nga Italia, nga Greqia, të përfaqësuara nga ambasadat që i takojnë zonës së Mesdheut.

Ky panair, që do të zgjasë dy ditë (8-9 prill), u organizua nën kujdesin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes me bashkëorganizatorë Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Unioni Turistik Shqiptar dhe Shoqata Turistike Shqiptare.

Ceremonia nisi me këngë e valle popullore nga trevat e Shqipërisë, të cilat u performuan në stendën kryesore të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Në ceremoninë e hapjes, ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku përshëndeti gjithë të ftuarit dhe pjesëmarrësit. Ajo u shpreh shumë entuziaste që më në fund Shqipëria ia doli të organizojë një panair të sajin dhe të mos jetë thjesht pjesëmarrëse në panaire turizmi në botë.

Duke shfrytëzuar këtë mundësi, Ministrja ndau gjithë arritjet e Shqipërisë në Turizëm, veçanërisht vitin e fundit të cilat kanë qenë të shumta dhe e kanë renditur Shqipërinë mjaft mirë në zhvillimin e këtij sektori, hapjen e vendeve të punës, sigurinë, dhe hapjen e Shqipërisë pra brandimin e saj në botë.