Arbëri

Vetëvendosje paralajmëron veprime nëse demarkacioni shkon në Kuvend

Kuvendi i Kosovës këtë javë nuk do të ketë seancë plenare, në solidarizim me Ramush Haradinajn, i cili të enjten do ta ketë seancën gjyqësore në Colmar të Francës, raporton KTV.

Kjo kërkesë u bë në kryesi nga vetë partia e Haradinajt.

Nga aty, Pal Lekaj i bëri thirrje koalicionit qeverisës të caktojë datën e zgjedhjeve. Edhe Vetëvendosje ka kërkuar zgjedhje, meqë, sipas tyre, Kuvendi nuk po funksionon.

Por, nëse koalicioni tenton ta sjellë demarkacionin në Kuvend, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar veprime të njëjta, si brenda edhe jashtë Kuvendit.

Por, për partitë në pushtet, Kuvendi po funksionon normalisht, ani pse me javë seancat dështojnë, për mungesë kuorumi.

LDK-ja ka vazhduar të hedhë akuza në drejtim të opozitës, që pengoi, sipas saj, të kalojë demarkacioni në Kuvend, ani pse bashkë me PDK-në e Listën Serbe i kanë mbi dy të tretat e deputetëve.

Ismet Beqiri nuk e di se kur marrëveshja do të jetë për ratifikim në Kuvend, derisa ka pranuar se ka probleme me votat. Kohën se kur do të risjellët demarkacioni në Kuvend nuk e di as Xhavit Haliti i PDK-së. Ndryshe, Kuvendi do të kthehet për seancë plenare tek të martën e ardhshme.